Sport

Spalletti afër Napolit

Descriptive Text

Luciano Spalletti është favorit për ta marrë drejtimin e skuadrës së Napolit.

Presidenti Aurelio De Laurentiis konfirmoi të martën se po e kërkon një trajner italian në krye të skuadrës.

Në fakt, Massimiliano Allegri ishte zgjedhja e parë për presidentin e Napolit, por italiani preferon rikthimin te Juventusi ose kalimin te Real Madridi.

Tani fokusi është te Spalletti dhe sipas raportimeve të mediave në Itali, negociatat mes trajnerit italian dhe drejtuesve të Napolit kanë nisur.

Bëhet e ditur se Napoli i ka ofruar kontratë dyvjeçare me pagë vjetore 3.5 milionë euro.

Spalletti nuk është i angazhuar te asnjë skuadër që gati dy vjet prej kur ishte ndarë me Interin.

Por, që nga ajo kohë është paguar vazhdimisht nga klubi italian. Kontrata me Interin i skadon në fund të qershorit.

Nëse Napoli nuk arrin marrëveshje me Spallettin, si opsion mbetet edhe Simone Inzaghi, i cili nuk e ka të ardhmen e sigurt te Lazio.

Aktualisht Napoli është pa trajner, pasi të dielën që shkoi e shkarkoi Gennaro Gattuson.