Sport

Përshëndetja e kapitenit që ka sakrifikuar dhe ka dhënë shumë për Kosovën

Descriptive Text

Anel Rashkaj mund të flasë me plot krenari për kontributin e tij në përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Rashkaj të hënën ka vendosur të tërhiqet edhe zyrtarisht nga përfaqësuesja, ndërsa kontributi i tij në ndërtimin e përfaqësueses së Kosovës vlerësohet i madh.

Ai kishte vendosur për Kosovën kur pak lojtarë që bënin karrierë në vendet evropiane vendosnin për një hap të tillë. Ka luajtur në ndeshje me skuadra inferiore evropiane, por edhe në ndeshje historike të përfaqësueses. Rrugëtimi i tij te Kosova, ashtu si edhe i vetë përfaqësueses është i jashtëzakonshëm. Është unik.

Rashkaj në vitin 2008 ishte grumbulluar për herë të parë me Kosovën. Ishte periudhë shumë e vështirë, kur përfaqësuesja ekzistonte thuajse vetëm në letër. Grumbullohej shumë rrallë dhe ndeshjet e vetme i luante me skuadra të ligave mesatare evropiane. Rashkaj atë kohë bënte karrierë solide në Suedi. Një kohë ishte shqyrtuar edhe për U21 të Suedisë, por nuk mori ftesë. Por kishte shumë lojtarë të tjerë që nuk luanin për përfaqësuese tjera dhe hezitonin të bashkoheshin me Kosovën.

Kjo e bën të veçantë prizrenasin, tani 31-vjeçar. Kohërat ndryshuan ndërkohë dhe në fillim të vitit 2014, FIFA dha leje që Kosova të luante miqësore. E para, historike, ishte ajo me Haitin, më 5 mars 2014 në Mitrovicë. Stadiumi “Adem Jashari” ishte mbushur me shikues. Atmosfera ishte festive. Më shumë se festive madje. Kishte shumë entuziazëm. Një moment i pritur gjatë po realizohej.

Kosova luajti pa gola me Haitin, ndërsa Rashkaj shkëlqeu, duke kontrolluar mesfushën. Me shumë mundësi ishte paraqitja e tij më e mirë për Kosovën e ndoshta edhe në karrierë.

Kosova ende nuk ishte e pranuar në UEFA e FIFA dhe klubet nuk ishin të obliguara që të lironin lojtarët për t’u grumbulluar me Kosovën. Sandnesi norvegjez kishte refuzuar ta lironte Rashkajn për një grumbullim, por kosovari ishte i vendosur t’i përgjigjej ftesës. Kjo i kushtoi me humbje të vendit në ekip, por për mesfushorin gjithnjë primare ishte Kosova.

Pas pranimit në UEFA e FIFA, konkurrenca në përfaqësuese u rrit shumë dhe Rashkaj mbeti jashtë. Por u kthye sërish. Nuk hezitoi për t’iu përgjigjur ftesave sa herë që Kosova kishte nevojë për të. Dhe në fushën e blertë gjithnjë ka dhënë më të mirën. Përkushtimi e angazhimi nuk i ka munguar asnjëherë. Gjithnjë modest dhe gjithnjë mirënjohës ndaj mundësisë së ofruar.

Ka luajtur deri vonë në përfaqësuese, por ndërkohë ka rënë në kategorinë e dytë të Suedisë. Ky nivel nuk jep gjasë për grumbullim me përfaqësuese, që synon nivele të larta. Dhe Rashkaj të hënën ka vendosur se është mjaft.

Përmes një postimi në Facebook, Rashkaj ka njoftuar se më nuk do të luajë për Kosovën.

“Arsyeja që e kam bërë këtë video është se e kam informuar Federatën e Futbollit të Kosovës që më nuk do të jem pjesë e Kombëtares së Kosovës si lojtar. Mendoj se pas 12 vjetëve aktivizim në periudha të ndryshme, është koha e duhur që t’i them lamtumirë Kombëtares së Kosovës. Që nga mosha 7-vjeçare ëndrra ime ka qenë që të luaj për Kosovën. Jam shumë i lumtur dhe shumë krenar që më është realizuar kjo ëndërr. Rrugëtimi im filloi në vitin 2008, kur mora ftesën e parë dhe pa asnjë hezitim kam vendosur të luaj për Kosovën edhe pse nuk ishim të pranuar as në UEFA e as në FIFA. Mendoj që gjatë këtyre 12 vjetëve ky rrugëtim më ka sjellë shumë emocione, shumë miqësi, shumë kujtime që do t’i bart me vete gjatë gjithë jetës sime. Për gjithë këto dua të falënderoj së pari Zotin që më ka dhënë këtë mundësi, pastaj familjen time për mbështetjen e madhe. Dua të falënderoj gjithë trajnerët e Kombëtares së Kosovës që nga grumbullimi i parë e deri më tani. E falënderoj gjithë stafin, FFK-në, gjithë lojtarët me të cilët kam luajtur që nga grumbullimi i parë e deri më tani. I falënderoj tifozët tanë që kanë qenë fantastikë dhe na kanë dhënë përkrahje shumë të madhe. Po ashtu dua të falënderoj bashkatdhetarët tanë kudo që janë, sepse në shumë vende ku kam shkuar kam hasur në mikpritje dhe respekt shumë të madh dhe dua t’i falënderoj përzemërsisht”, ka thënë Rashkaj. Edhe pas pensionimit ai ka treguar përkushtimin për ta parë Kosovën sa më lart.

“Po ashtu dua të shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje lojtarëve kudo që janë, me prejardhje nga Kosova, që të vijnë të luajnë për shtetin e tyre. Të vijnë dhe t’i ndihmojnë Kosovës të realizojë ëndrrën e madhe për kualifikim në Evropian apo Botëror. Shpresoj që unë e kam kryer detyrën time ashtu si i ka hije një lojtari të prezantoj shtetin e vet. Zoti ju ruajt dhe faleminderit shumë!”, ka theksuar Rashkaj.

Karriera e Rashkajt në nivel klubesh nuk ishte ajo që pritej dhe ajo që ka synuar. Ka luajtur kohën më të mirë te Halmstadi në Suedi. Më pas luajti te Sandnesi në Norvegji e Eskilstuna në Suedi. Në vitin 2017 pati një periudhë për të harruar te Prishtina, ndërsa luajti sërish te Eskilstuna. Vjet ishte te SJK në Finlandë e tani është te Orgryte në kategorinë e dytë të Suedisë. Ai ka lëvizur mes kategorisë së parë e të dytë në Norvegji e Suedi dhe nuk ka arritur në liga më të mëdha.

Por ka dhënë shumë për Kosovën dhe do të çmohet gjithnjë.