Sport

Edhe një edicion i pasuksesshëm për “xehetarët”, mbijetesën e kërkojnë në barazh

Historik ishte viti 2017 për klubin e futbollit nga Mitrovica, Trepça ’89. Te 89-shi pati festë të madhe për titullin e fituar në edicionin 2016/2017. “Xehetarët” dolën edhe në Evropë dhe shpresohej se për klubin nisi një periudhë suksesi. Por prej atëherë mitrovicasit kanë pasur rënie të madhe në rezultate.

Në edicionin pasues Trepça ’89 u rendit e katërta e më pas ishte vetëm poshtë në tabelë. Nuk ka gjetur rehati asnjëherë.

Ekzistencën në Superligë e ka siguruar nëpërmjet barazhit në edicionin 2018/2019. Vjet siguroi mbetjen në elitë falë fitores në xhiron e fundit ndaj Prishtinës. Ishte një fitore e dyshimtë për kurdisje, e diskutuar gjatë.

Në vështirësi është edhe tash, ende nuk e ka të sigurt mbetjen në elitë. Për ta siguruar edhe sezonin e ardhshëm garimin në Superligë, do t’i duhet ta mposhtë Dukagjinin e Klinës në ndeshjen e barazhit, që është paraparë të luhet të shtunën e ardhshme nga ora 15:00.

Trepça ’89 e kishte të rrezikuar edhe barazhin, por vetëm pas fitores 2:1 ndaj Drenicës dhe “favorin” që ia bëri Drita duke e mposhtur Arbërinë 2:0 u rendit e teta dhe luan barazhin. Arbëria me këtë disfatë, bashkë me Besën, largohet nga Superliga.

Trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi beson në sukses në ndeshjen përcaktuese.

“Kemi mundur edhe më shumë të fitojmë nga sezoni i rregullt, por kemi pësuar disfata edhe në momentet tona më të mira. Por kjo është bukuria e futbollit. Jam i kënaqur me futbollistët, angazhimin dhe dëshirën e tyre për futboll të treguar gjatë gjithë sezonit. Na pret një ndeshje e vështirë në barazh kundër Dukagjinit. Dukagjinin e kam përcjellë si për Kupë, ashtu edhe për barazhin që e pati kundër Flamurtarit. Ka një skuadër të mirë, por unë kam besim në lojtarët e mi dhe Trepça ’89 meriton të jetë pjesë e Superligës me gjithë vështirësitë që i kemi pasur këtë sezon. Unë e përshëndes angazhimin e lojtarëve dhe profesionalizimin e treguar gjatë tërë këtij sezoni. Na mbetet edhe një ndeshje e fortë për ta siguruar mbetjen në elitë. Do të përgatitemi maksimalisht për t’ia dalë”, ka thënë Idrizi pas ndeshjes.

Në fakt, 89-shi këtë sezon ka pasur luhatje të rezultateve. Ka shënuar vetëm 12 fitore, ndërsa ka barazuar gjashtë herë dhe ka pësuar 18 disfata. Sezonin e mbylli në vendin e tetë me 42 pikë, dy më shumë se Arbëria që ra nga elita, ndërsa pikë të njëjta sa të mitrovicasve patën edhe Drenica dhe Feronikeli.

Sulmuesi i Trepçës ’89, Ardian Muja, është shprehur i lumtur me fitoren ndaj Drenicës. Sulmuesi i mitrovicasve, që realizoi dy golat, shpreson që skuadra do të arrijë të sigurojë mbijetesën përmes ndeshjes së barazhit.

“Ndjenjë shumë e mirë, por akoma nuk e kemi përfunduar synimin, e kemi ndeshjen e barazhit. Na mbetet të punojmë për ndeshjen e barazhit. Besoj që me ekipin që kemi dhe me grupin që kemi nuk është pozita reale të cilën jemi, pasi kemi lëshuar shumë pikë. Në ndeshjen e barazhit shkojmë për fitoren ndaj Dukagjinit”, deklaroi Muja.