Sport

FFK-ja pranon se garat ilegale të serbëve po cenojnë integritetin e saj dhe të shtetit të Kosovës

Organizimi i “Kupës së Kosovës dhe Metohisë” në futboll, ka alarmuar FFK-në. Ajo ka pranuar se me këtë organizim të serbëve, po cenohet integriteti i shtetit. FFK-ja ka thënë se e ka njoftuar UEFA-n e FIFA-n për këtë shkelje, ndërsa pret veprim konkret nga institucionet e vendit për të ndërprerë këto aktivitete. Gara ilegale e “Kupës së Kosovës e Metohisë” po organizohet për herë të parë dhe ka pasur shtrirje në pjesë të ndryshme të shtetit.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë pritur me shqetësim aktivitetet e reja të ashtuquajturës “Federatë e Futbollit të Kosovës e Metohisë”. KOHA ka shkruar të enjten se kjo organizatë, që është pjesë e Federatës së Futbollit të Serbisë, ka nisur me aktivitete të reja në territorin e Kosovës. E ashtuquajtura “Federatë e Futbollit të Kosovës e Metohisë” ka nisur me garën “Kupa e Republikës së Kosovës dhe Metohisë”. Është ky një organizim i ri që fuqizon këtë organizatë, që në Kosovë është ilegale.

Më herët “Federata e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë” ka formuar seleksione të “Kosovës dhe Metohisë” për grupmosha të reja dhe ka paralajmëruar një seleksion të seniorëve. Pra një përfaqësuese të serbëve të Kosovës. Garat e Federatës së Futbollit të Serbisë, përmes “Federatës së Futbollit të Kosovës e Metohisë”, vazhdimisht kanë pasur shtrirje në territorin e Kosovës dhe vazhdojnë të kenë.

Institucionet e vendit nuk kanë mundur të ndalojnë këto aktivitete të komunitetit serb. Pas shtimit të aktiviteteve ilegale, në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë pranuar se po cenohet integriteti i saj e mbi të gjitha ai i shtetit të Kosovës.

Shteti i Kosovës ende nuk e ka shtrirë autoritetin në gjithë territorin e vendit. Dhe kjo po reflektohet në sport, përkatësisht futboll.

FFK-ja e ka quajtur “Federatën e Futbollit të Kosovës e Metohisë”, organizatë fantome.

“Kjo është një organizatë fantome dhe ‘gara që ajo e ka organizuar është e tillë. Ne vazhdimisht u kemi bërë thirrje klubeve serbe që funksionojnë brenda Kosovës që ta pranojnë realitetin dhe aktivitetin e tyre ta zhvillojnë nën ombrellën e FFK-së”, thuhet në një përgjigje me shkrim të FFK-së për KOHËN. FFK-ja ka treguar se më herët ka pasur serbë të interesuar që të përfshihen në garat e FFK-së.

“Para disa vjetësh kemi pasur klube të interesuara për t’u inkuadruar në gara. Por kërcënimi i autoriteteve të Serbisë ndaj tyre ka ndikuar që serbët lokale të heqin dorë nga pjesëmarrja”.

Me garat e Serbisë në territorin e Kosovës është e njoftuar edhe FIFA e UEFA, sipas FFK-së.

“FFK-ja në vazhdimësi i ka informuar institucionet shtetërore për këto aktivitete të organizatës fantome brenda vendit tonë. Por gjithashtu edhe organizmat ndërkombëtarë, UEFA-n e FIFA-n, ku tash e pesë vjet jemi anëtarë të barabartë me të gjitha shtetet e tjera të Evropës e botës. Ne si FFK gjithmonë i informojmë këto organizata për atë që ndodhë në vendin tonë. Kontaktet janë të përditshme dhe të zakonshme. Natyrisht se edhe për këtë çështje u kemi drejtuar me ankesë këtyre dy organizatave, ngase FFK-ja është organizata e vetme që e ka të drejtën e organizimit të garave të futbollit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Organizimi paralel i ndeshjeve cenon integritetin e shtetit dhe të institucionit tonë”, thuhet në deklaratën e FFK-së për KOHËN.

Sipas Federatës, u takon institucioneve të shtetit që të ndalojnë aktivitetet ilegale, përkatësisht ato të Federatës së Futbollit të Serbisë dhe organizatave pjesë të saj.

“Ne do t’i informojmë të gjitha institucionet lidhur me veprimtarinë e kësaj organizate fantome dhe do të kërkojmë që të veprohet me hapa konkret në ndalimin e çdo gare ilegale, pasi janë institucionet tona të rendit dhe sigurisë që duhet të reagojnë dhe të veprojnë sipas ligjit. Ne nuk duam t’ia cenojmë askujt të drejtën e zhvillimit të aktivitetit sportiv, por askush nuk mund të thirret në organizim të garave kur nuk i respekton ligjet dhe institucionet e shtetit në të cilin e zhvillon veprimtarinë e vet. Njëherësh edhe një herë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht se cilit nacionalitet i përkasin, që t’u bashkohen garave zyrtare që i organizon FFK-ja dhe së bashku të punojmë për ngritjen e përgjithshme të futbollit”.

“Kupa e Kosovës dhe Metohisë” është në proces. Së fundi janë luajtur çerekfinalet, ndërsa ka mbetur të luhen gjysmëfinalet. Madje ndeshjet janë luajtur në pjesë të ndryshme të Kosovës, në vende të banuara me serbë. Një prej ndeshjeve është luajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit. Ndeshje të tjera janë luajtur në Llapnasellë, Gracë e Mitrovicë të Veriut.

“Për këtë ndeshje duhet të themi që rezultati ishte në plan të dytë. Mbi të gjitha, vetëm ardhja e Mokra Gorës në Hoçën e Madhe ka paraqitur kënaqësi të vërtetë për të gjithë adhuruesit e futbollit në Metohi. Ekipi i Mokra Gorës me udhëheqësit, shtabin teknik dhe lojtarët erdhën në Hoçë të Madhe për ta siguruar gjysmëfinalen e Kupës, por mbi të gjitha për t’i treguar popullit tonë në Hoçë të Madhe që nuk janë harruar dhe nuk do të harrohen asnjëherë”, ka njoftuar “Federata e Futbollit e Kosovës e Metohisë”, që i ka dhënë ngjyrim nacional njërës prej ndeshjeve.

Serbia ka shtrirje në territorin e Kosovës edhe në sporte të tjera. Më herët ka pasur një përfshirje fare të vogël të serbëve në sistemin sportiv të Kosovës. Por, aktualisht serbët janë thuajse plotësisht jashtë sistemit sportiv të shtetit në të cilin jetojnë.