Sport

E konfirmon Federata e Kazakistanit: Qeveria nuk lejoi ndeshjen me Kosovën për arsye politike

Pasi ka anuluar ndeshjen ndaj Kosovës, Kazakistani ka aranzhuar miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut. Ndeshja Maqedoni e Veriut – Kazakistan luhet më 4 qershor në Shkup. Atë ditë, lojtarët e Kazakistanit është dashur të jenë në Prishtinë dhe të luajnë ndaj Kosovës në “Fadil Vokrri”.

Në Federatën e Futbollit të Kazakistanit kanë konfirmuar se kishin vullnet për ta luajtur miqësoren ndaj Kosovës. Marrëveshja mes federatave ishte arritur, ndërsa Federata e Kazakistanit i kishte bërë edhe një prezantim Kosovës në sajtin zyrtar. Por, u përfshi politika dhe sërish dolën sfida për Kosovën.

Në të vërtetë, drejtuesit e FFK-së kishin dyshuar se tek anulimi i miqësores kishte ardhur vetëm për arsye politike, përkatësisht për faktin se Kazakistani nuk e njeh shtetin e Kosovës. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, kishte thënë për KOHËN se raportet mes federatave janë shumë të mira.

Kjo është konfirmuar edhe nga Federata e Futbollit të Kazakistanit për KOHËN, të premten.

Edhe Kosova tashmë e ka përcaktuar kundërshtaren e 4 qershorit. “Dardanët” do të udhëtojnë për në Austri, ku do të përballen me Maltën.

“Besoj se është vetëm çështje politike, sepse marrëdhëniet sportive janë shumë të mira me Kazakistanin”, kishte thënë Ademi për KOHËN. Fillimisht FFK-ja kishte njoftuar se “Qeveria e Kazakistanit nuk ka lejuar Kombëtaren e këtij vendi që të udhëtojë në Kosovë dhe për këtë ndeshja miqësore është anuluar”.

Kështu vazhdojnë sfidat politike për sportin kosovar. Janë disa vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe që paraqesin probleme edhe në sport. Moldavia kishte refuzuar të presë Kosovën në territorin e saj dhe ndeshja ishte zhvendosur në Itali. Ukraina nuk lejon hyrjen e përfaqësueseve dhe skuadrave nga Kosova në territorin e saj, ndërsa në futboll nuk lejohen ndeshjet e Kosovës me Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Rusinë.

Spanja ka paraqitur shumë vështirësi për prezantim të barabartë të Kosovës, ndërsa ka telashe edhe me shtete të tjera.

Por pasi ishte aranzhuar miqësorja me Kazakistanin, nuk ishte pritur të paraqiten telashe të natyrës politike. Kjo megjithatë, ndodhi dhe FFK-ja u detyrua të gjejë kundërshtar tjetër për 4 qershor.

“Miqësorja në mes të Kosovës dhe Kazakistanit është caktuar më 4 qershor 2021 në Prishtinë. Të dy federatat kanë njoftuar për ndeshjen. Federata jonë ka dashur të luajë ndeshjen. Arsye që solli anulimin e ndeshjes është se ne kemi pranuar një letër nga organet relevante qeveritare që fuqishëm kanë rekomanduar që anulojmë miqësoren. Në letër shkruan se kështu rekomandohet për faktin që Kazakistani nuk e ka pranuar ende Kosovën si shtet të pavarur”, ka thënë për KOHËN, Ayan Alzhanov, udhëheqës i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Federatën e Futbollit të Kazakistanit.

Kosova në qershor i luan katër miqësore. Me San Marinon (1 qershor, Prishtinë) dhe Maltën, Kosova do të luajë me përfaqësuesen A. Ndërsa me Guinenë dhe Gambinë, Kosova do të luajë me lojtarë që janë kandidatë për vend në përfaqësuese. Do të ftohen më shumë lojtarë të klubeve të Superligës së vendit. Me Guinenë dhe Gambinë ndeshjet luhen më 8 e 11 qershor në Antalya të Turqisë.