Sport

Superliga Evropiane kishte një partner të heshtur: FIFA-n

Anëtarët themelues të Superligës Evropiane ishin të bindur se turneu do ta kishte mbështetjen e fortë të FIFA-s, pasi vazhdimisht kanë pasur bisedime me organin drejtues të futbollit botëror, ka raportuar “NYT” të enjten.

Bëhet e ditur se ata që qëndrojnë pas projektit tashmë të dështuar i kishin kaluar dy vjet duke kërkuar miratimin e FIFA-s. Madje, ishte arritur marrëveshje që ekipet e Superligës Evropiane do të merrnin pjesë edhe në Botërorin e klubeve të organizuar nga FIFA.

Disa drejtues të klubeve të Superligës ishin të bindur që FIFA ishte e hapur për idenë pas diskutimeve të vazhdueshme që kishin pasur me presidentin Gianni Infantino dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Pretendimet u shfaqën së fundi, kur kreu i ligës spanjolle, Javier Tebas, akuzoi publikisht Infantinon si një nga organizatorët që qëndronte prapa projektit të Superligës Evropiane.

Dokumentet për Superligën e propozuar, Tebas tha që i referoheshin FIFA-s. Gjithashtu u pohua se bisedimet midis organizatorëve të Superligës dhe FIFA-s filluan në vitin 2019 dhe përfshinë një takim në të cilin ata propozuan që në këmbim të miratimit të projektit shumica e ekipeve do të luanin në versionin e ri të botërorit të klubeve që do të mbahej çdo vit. Klubet e Superligës Evropiane ishin të gatshme të hiqnin dorë nga pagesa prej një miliard euro në vit për të marrë pjesë në garën e FIFA-s. Madje, 12 klubeve themeluese të Superligës u ishte garantuar përkrahja nga FIFA, e cila më vonë reagoi në përkrahje të UEFA-s, duke paralajmëruar se nuk do ta njihte një ligë evropiane “të mbyllur”.

Në fund, projekti i Superligës Evropiane nuk e gjeti as përkrahjen e Infantinos, që vetëm 24 orë pas paralajmërimit për themelimin e kësaj lige iu drejtua kongresit vjetor të UEFA-s me fjalët: “Ne vetëm mund ta kundërshtojmë me forcë krijimin e Superligës, që është një dyqan i mbyllur”.

Brenda pak orëve, gjashtë klubet nga Premier League – Manchester Unitedi, Liverpooli, Arsenali, Chelsea, Manchester City dhe Tottenhami – njoftuan se po tërhiqen nga projekti. Këtë rrugë e ndoqën edhe tri skuadra të tjera, Interi, Milani e Atletico Madridi, por jo edhe Real Madridi, Barcelona e Juventusi ende refuzojnë të largohen nga Superliga Evropiane dhe rrezikojnë dënime të ashpra nga UEFA.

“Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s, qëndron prapa këtij projekti. Këtë e kam thënë më parë dhe po e përsëris edhe tani”, ka insistuar kreu i La Ligas, Tebas.

Deri më tani, FIFA nuk u është përgjigjur akuzave të Tebasit, i cili ka përfshirë direkt Infantinon në themelimin e Superligës së Evropës, që ngjalli reagime të shumta muajin e shkuar nga tifozët dhe gjithë bota e futbollit.

Ndërkohë, as skuadrat që ende po llogariten pjesë e Superligës së Evropës nuk kanë reaguar në lidhje me këtë çështje. Si Juventusi ashtu edhe Real Madridi e Barcelona, kanë insistuar se qëndrojnë prapa idesë së Superliga Evropiane do të ishte e mirëseardhur për klubet e mëdha, financat e të cilave janë goditur rëndë nga pandemia.