Sport

Karateistët janë të bindur se nga Evropiani do të kthehen me medalje

Karateistja Fortesa Orana vlerëson se ishte afër ta sigurojë luftën për vend të parë në Evropianin që po mbahet në Poreç të Kroacisë. Por, luftën për finale thotë se ia mohoi një lëndim i pësuar në gjysmëfinale të Evropianit të Karatesë. Orana humbi në gjysmëfinale nga bullgarja Aleksandra Stubleva, por ka mbetur në garë për medalje të bronztë, të cilën thotë se është e bindur që do ta fitojë të dielën. Në luftën për vend të tretë në kategorinë mbi 68 kilogramë, Orana do ta ketë përballë karateisten greke Eleni Chatziliadaoun. Në luftë për medalje të bronztë është edhe Herolind Nishevci. Nishevci do të luftojë për të bronztën kundër karateistit nga Azerbajxhani, Asiman Gurbanli.

“Ka mundur të arrihet edhe më shumë, por pas një lëndimi në hundë humba luftën për finale. Po shkonte gjithçka mirë, sepse jam në formë të mirë, por tani pres ta fitoj medaljen për vendin e tretë. Do të ishte suksesi më i madh në karrierë. Jam gati për ta arritur atë sukses. Në vitin 2019 kam dalë e pesta në Evropian, kështu që synimi im është medalja e bronztë, edhe pse isha në formë të mirë për të artën nëse nuk do ta kisha pësuar lëndimin”, ka thënë Orana të mërkurën për KOHËN.

Orana raundin e parë e kaloi pa luftë, në të dytën e mundi Simona Simovskan e Maqedonisë së Veriut, ndërsa në raundin e tretë triumfoi ndaj Nancy Garcia të Francës. Në çerekfinale fitoi ndaj Titta Keinanen të Finlandës, por nuk arriti ta kalojë edhe gjysmëfinalen.

Ndërkohë, Herolind Nishevci do ta garojë për medalje të bronztë falë triumfit në luftën në represazh. Nishevci në kategorinë mbi 84 kilogramë mposhti boshnjakun Rijad Xhuho. Pasi e mposhti në luftën e parë karateistin nga Sllovakia, Kosa Tomas, dhe izraelitin Abu Basal Ahmad, në raundin e dytë Nishevci u mposht nga serbi Slobodan Biteviq, me rezultatin 3:2. Nishevci thotë se finalja i ka ikur shkaku i gabimeve që bëri.

“Më iku finalja për faj të gabimeve të mia. Në të gjithat luftërat kam qenë duke udhëhequr. Nuk më ka munguar asnjëherë kapaciteti. Jam në formë të mirë, pa marrë parasysh që më ka ikur finalja. Do ta jap maksimumin që të kthehem me medalje. Gabimet ndodhin, thjesht gabova”, është shprehur Nishevci për KOHËN.

Image

Nishevci vlerësohet ndër më të mirët në Kosovë, ndërsa suksesin më të madh në karrierë e ka vendin e tretë të botës. Ndërkohë, karateisti Elhami Shabani ka përfunduar i shtati në Evropian. Shabani, i kategorisë deri në 75 kilogramë, pësoi humbje në repesazh nga holandezi Timothy Petersen. Para garës së repesazhit, Shabani humbi bindshëm 7:0 nga karateisti i Ukrainës, Stanisal Horuna, në çerekfinale. Karateisti Shabani i ka fituar dy luftëra në ditën e parë të Evropianit të Karatesë. Në raundin e dytë kaloi çekun Jakub Matejka, ndërsa mposhti turkun Erman Eltemur. Raundin e parë e ka kaluar pa luftë. Ndërsa, të pasuksesshme në këtë Evropian ishin dy karateistet Diella Sejdijaj dhe Adelina Rama.

Sejdijaj, e kategorisë deri në 68 kilogramë, u mposht në raundin e parë nga karateistja e Austrisë, Alisa Buchinger, ndërsa Rama ka humbur në raundin e dytë. Rama, që garoi në kategorinë deri në 61 kilogramë, humbi nga danezja Sarah Aakermann, me rezultatin 3:0. Në raundin e dytë, Rama u kualifikua pa luftë.

Në ditën e dytë, të enjten, në tatami do të paraqiten edhe Ylli Cenaj i kategorisë deri në 67 kilogramë, Albinot Selmani deri në 60 kilogramë, Albulena Gërvalla e kategorisë deri në 55 kilogramë dhe Hatixhe Zejnullahu deri në 50 kilogramë.

“Në dy gjysmëfinale sportistët tanë nuk arritën ta kalojnë. Bëhet fjalë për Herolindin dhe Fortesën. Tani kemi dy finale për medalje të bronztë dhe do të shohim edhe nesër nga garuesit e tjerë. Pritjet i kemi pasur që edhe Elhamia të arrijë në zonën e medaljeve, por kishte short të vështirë. Shpresat për medalje i kemi nga Herolindi, kurse Fortesa për shkak të lëndimit të pësuar do ta ketë pak të vështirë ta ketë koncentrimin e duhur për ta mposhtur greken. Pritjet janë edhe nga Albulena Gërvalla, kurse për të tjerët mbetet të shihet nesër”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës, Isak Curri, të mërkurën për KOHËN.

Karateistët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë të enjten do të përballen ndërmjet vete në Kampionatin Evropian, në konkurrencë ekipore, që po mbahet në Poreç të Kroacisë. E këtë përballje nuk e kanë pritur mirë tek ekipi i Kosovës.

“Nuk është mirëpritur dueli me Shqipërinë, ose shkurt nuk është i dëshirueshëm të përballemi me karateistët e Shqipërisë. Por, ne kemi obligim ta mbrojmë dhe ta prezantojmë shtetin tonë edhe përballë Shqipërisë”, ka thënë Curri.