Sport

E enjtja vendimtare e Demhasajt dhe Lenjanit

Shkëlqim Demhasaj kishte mundësi të qëndronte te Luzerni dhe të luante deri në fund të sezonit aktual në Superligën e Zvicrës. Por ai vendosi të bënte një hap prapa në karrierë. U largua nga skuadra elitare e Zvicrës, Luzerni, për t’u transferuar te klubi i Kategorisë së Dytë të Zvicrës, Grasshoppersi. Afërsisht si Demhasaj veproi edhe Ermir Lenjani, që u largua nga ekipi tjetër elitar, Sioni. Grassoppersi është klubi më i suksesshëm në Zvicër, ndërsa Demhasaj dhe Lenjani e kanë një mundësi të artë që sezonin e ardhshëm sërish të luajnë në elitën zvicerane. Grassoppersi e ka ndeshjen vendimtare për ngritje në elitë. Përballë do ta ketë Kriensin dhe vetëm fitorja do ta kthejë në Superligë. Grassoppersi është në vendin e parë me 62 pikë, një më shumë se Thuni që është i dyti. Kështu që, vetëm fitorja xhiron e fundit kundër Kriensit nuk ia rrezikon Grasshoppersit ngritjen në elitë. E këtë e ka parasysh edhe vetë sulmuesi Demhasaj, që këtë edicion ka shënuar nëntë gola. Ai shpreson t’i ndihmojë ekipit të tij edhe të enjten.

“Jemi gati për këtë ndeshje të madhe dhe të gjithë së bashku do ta kërkojmë fitoren për t’u kthyer në Superligë. Nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë, por mund t’ia dalim mbanë nëse secili japim 100 për qind nga vetja. Unë kam bindjen se kemi forcë për t’u ngritur në Superligë. Grassoppersi e meriton ngritjen në Superligë, por për ta arritur këtë qëllim duhet ta fitojmë ndeshjen e fundit. Te Grasshoppersi kam ardhur për të luajtur në ‘Challande League’ dhe të ngrihemi së bashku në Superligë”, ka thënë Demhasaj të mërkurën për KOHËN. “Tani jemi në situatë të mirë dhe nëse sigurojmë ngritjen në Superligë do të ishte një sezon i kompletuar për mua, sepse do ta realizoja synimin për të cilin iu bashkova Grasshoppersit në një kategori më poshtë”.

Demhasaj me skuadrën zvicerane ka kontratë deri në qershor të vitit 2023. Ngjashëm si Demhasaj, edhe Lenjani pret fitore përballë Kriensit.

Grasshoppersi është klubi me më së shumti tituj të fituar në Zvicër. Ka fituar 27 tituj, ndërsa 19 herë e ka fituar edhe Kupën. Titullin e fundit e ka fituar në vitin 2003, ndërsa e mban edhe rekordin për kupa të fituara. Kupën e fundit e ka fituar në edicionin 2012/2013. Demhasaj thotë se Grassoppersi është duke e kthyer shkëlqimin që e kishte dikur.

“Besoj se do të kemi një plan të mirë edhe për sezonin e ri në Superligë. Grassoppersi e meriton të jetë në Superligë, sepse ka histori të madhe në elitën e futbollit zviceran. Prandaj unë besoj se ne do të fitojmë nesër dhe pastaj të organizohemi për sezonin e ri”, ka thënë sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Demhasaj.

Grassoppersi do të luajë të enjten ndaj Kriensit që në përbërje ka shumë futbollistë shqiptarë. Te Kriensi janë: Mirlind Kryeziu, Liridon Berisha, Albian Sadrijaj, Burim Kukeli, Izer Aliu dhe Liridon Mulaj. Mesfushori Kukeli do të mungojë shkaku i lëndimit, por ekipi tij e ka siguruar mbetjen në Kategorinë e Dytë zvicerane.

“Do të jetë ndeshje interesante për mua dhe Ermirin, pasi përballë do të kemi shumë futbollistë të tjerë shqiptarë. Por në këtë ndeshje do të dalim ne të dy fitimtarë dhe sezonin tjetër të luajmë në Superligë”, ka thënë Demhasaj.