Sport

Fury urdhërohet të përballet me Wilderin për herë të tretë

Tyson Fury është urdhëruar të përballet me Deontay Wilderin për herë të tretë, duke vënë dyshime kështu për super-përballjen e paralajmëruar në gusht me Anthony Joshuan, raporton BBC.

Fury 32-vjeçar në shkurt të vitit të kaluar mposhti me nokaut teknik në raundin e shtatë ndaj amerikanit Wilder, duke ia rrëmbyer titullin WBC në peshën e rëndë në boksin profesionist. Përballja e parë mes tyre në dhjetor të vitit 2018 përfundoi me barazim.

Fury me Wilderin ishin paraparë të takoheshin vitin e kaluar në meçin e tretë, që ishte dakorduar edhe me kontratë, por për shkak të pandemisë nuk u mbajt.

Të hënën, një gjykatë në SHBA ka vendosur se Wilder ka të drejtë për t’u përballur për herë të tretë me Furyn para 15 shtatorit.

Ekipi i Wilderit është ankuar se ai ka të drejtën edhe me kontratë për këtë përballje.