Sport

Rrugëtimi që ia solli titullin Prishtinës pas pritjes së gjatë

Prishtina ka festuar gjatë në Gjilan e në kryeqytet titullin që e priste prej vitit 2013. Për herë të parë Prishtinës titulli i kampionit ia siguron paraqitjet në kualifikimet e Championsit. Vendimi i Kryesisë për t’i besuar trajnerit Zekirija Ramadani pas krizës në vjeshtë vlerësohet vendimtar në rrugëtimin triumfues të Prishtinës

Tetë vjet ka zgjatur pritja e Prishtinës për të fituar titull të ri të kampionit të Kosovës në futboll.

Askush në klubin e kaltër nuk ka pritur se do të kalojë periudhë kaq e gjatë pa festuar titull të kampionit. Prishtina është klubi më i suksesshëm i futbollit në vend.

Pritjes së gjatë i erdhi fundi të dielën.

Skuadra e Prishtinës e siguroi titullin e kampionit për edicionin 2020/2021, falë fitores kundër Gjilanit si mysafir me rezultatin 2:1. Titullin Prishtina e siguroi një javë para fundit të edicionit.

Në fakt, Prishtina ishte afër titullit të kampionit dy herë në tri edicionet e fundit. Nuk ia doli në xhiron e fundit në edicionet 2017/2018 dhe 2018/2019. Këtë herë nuk e priti fare xhiron e fundit për ta vendosur garën për më të mirin e Kosovës në futboll. U përkujdes që titullin ta festonte më herët.

Ajo që e veçon këtë rrugëtim të Prishtinës është rikthimi i madh që skuadra ka bërë gjatë kampionatit. Ishte larg vendit të parë plot 14 pikë.

Për ekipin nga kryeqyteti është titulli i 11-të që nga pavarësimi i futbollit kosovar dhe vetëm i pari pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Herën e kaluar Prishtina e fitoi titullin në edicionin 2012/2013.

Triumfi i së dielës ia siguron Prishtinës pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Kampionëve për herë të parë. Në katër edicione rresht prishtinasit morë pjesë në kualifikimet e Ligës së Evropës. Tani kanë rastin të testohen në garën elitare për klube evropiane të futbollit.

Golat e fitores për Prishtinën e trajnerit Zekirija Ramadani kundër Gjilanit i shënuan Gledi Mici nga penalltia në minutën e 15-të dhe Qëndrim Zyba pesë minuta para fundit të pjesës së parë. Kurse për Gjilanin golin e vetëm e shënoi Arbër Çyrbja (53’) pas gabimit të portierit Ardit Nika.

Prishtina për kohë të gjatë ka zhvilluar garë të fortë për titull të kampionit me Dritën e Ballkanin. Por xhirot e kaluara filloi shkëputja dhe të dielën u bë e qartë se Drita e Ballkani nuk mund ta arrijnë më Prishtinën.

Trajneri Zekirija Ramadani ka deklaruar se titulli i kampionit me Prishtinën është më i veçantë pasi vjen pas tetë vjetësh. Ai trofeun ua ka dedikuar tifozëve të Prishtinës “Plisat”. Ramadani tituj kishte fituar edhe me Trepçën ’89 dhe Feronikelin.

“Çdo titull ka shijen e vet, por mungesa prej tetë vjetësh e bën këtë titull edhe më të veçantë. Ky titull i ka munguar shumë vite ekipit tonë dhe më së shumti i kemi gëzuar qytetarët e Prishtinës dhe ‘Plisat’. Këtë titull ua dedikojmë ‘Plisave’, të cilët na kanë qëndruar afër gjithmonë”, u shpreh Ramadani, i cili e pranon se nuk ka qenë e lehtë të fitohet trofeu kryesor i futbollit kosovar.

“Për të ardhur deri te kjo ndeshje kemi kaluar shumë sfida. Momenti kyç ishte pas humbjes ndaj Drenicës, ku morëm mbështetje maksimale pasi ishte vështirë pas rezultateve negative dhe shumë stres për ne dhe familjet tona. Mirëpo besimi i tyre u shpërblye me titull kampion”, shtoi Ramadani.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar se do të ketë edhe përforcime për edicionin e ri.

“Unë edhe në janar kam thënë se nëse do të ketë lojtarë që janë me cilësi të njëjtë apo më të mirë, mund t’i sjellim. Kështu është edhe tani. Sigurisht do të shikojmë që të sjellim lojtarë cilësorë në skuadër. Nuk dua vetëm numra, por dua cilësi”.

Pas humbjes nga Drenica, në kuadër të xhiros së dhjetë, trajneri Ramadani kishte ofruar dorëheqje. Por ai mori përkrahje të madhe nga skuadra dhe drejtuesit e klubit dhe vendosi të vazhdojë. Ajo ishte humbja e tretë rresht për Prishtinën, por drejtuesit e klubit kishin besim te shkupjani. Në fazën e fundit të stinorit vjeshtor Prishtina kishte plot 14 pikë më pak se lideri. Por nuk u dorëzua dhe të dielën festoi titullin. Së fundi prishtinasit kanë regjistruar seri prej tetë fitoreve.

Mesfushori Behar Maliqi ndihet krenar që e fiton sërish titullin me Prishtinën.

Ai mendon se kanë triumfuar me plot meritë. Maliqi ndihet i lumtur që është bërë lojtari me më së shumti tituj të fituar.

“Është ndjenjë e mirë sa herë që bëhesh kampion. Titujt me Prishtinën janë të veçantë. Gjashtë tituj dhe tani lojtari më i trofeshëm, është diçka që të bën krenar. Kjo u arrit pasi kam qenë pjesë e klubeve të mira, bashkëlojtarëve dhe trajnerëve të mirë. Prishtina çdoherë ka hyrë për të gjithë trofetë”, deklaroi Maliqi.

Behar Maliqi i ka fituar katër tituj të kampionit me Prishtinën dhe dy me Feronikelin. Ai ishte kthyer te Prishtina në verën e kaluar. Janë kthyer edhe Besnik Krasniqi e disa të tjerë.

Përderisa Prishtina e ka siguruar titullin dhe pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, luftë e madhe po zhvillohet edhe për pozitën e dytë që dërgon në Ligën e Konferencës. Drita dhe Ballkani janë skuadrat që e kërkojnë një vend që dërgon në Evropë. Në kuadër të javës së 35-të, Drita e ka mposhtur Drenicën si mysafire me rezultat 3:0, kurse Ballkani ka triumfuar ndaj Trepçës ’89 me shifrat 4:3.

Drita është e dyta në renditje me 73 pikë, kurse Ballkani renditet i treti me 71 sosh. Gjithçka do të vendoset në xhiron e fundit të kampionatit, ku Drita përballet me Arbërinë, kurse Ballkani i shkon Prishtinës në “Fadi Vokrri”.

Interesante dhe e paqartë mbetet edhe gara për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar. Pesë skuadra po luftojnë që t’i ikin barazhit dhe pozitës së nëntë e cila dërgon në Ligën e Parë. Arbëria e ka mposhtur Llapin, ashtu si pritej, me rezultat 3:2 dhe ka kaluar në vendin e tetë që në fund të kampionatit siguron vetëm barazhin. Feronikeli është larguar nga zona e rrezikshme pas fitores ndaj Besës me rikthim 3:1. Nikli tani ka kaluar në pozitën e shtatë me 41 pikë. Humbja nga Ballkani 4:3 e ka zbritur Trepçën ’89 në vendin e nëntë që nuk siguron qëndrimin në elitë. “Minatorët” kanë 39 pikë, një më pak se Arbëria dhe dy më pak se Feronikeli. Llapi dhe Drenica renditen në pozitat pesë dhe gjashtë me nga 42 pikë.

Çdo gjë është e hapur për xhiron e fundit, por ‘89-shi është më i rrezikuari për t’iu bashkuar Besës.

****

Superliga – Java 35

Gjilani – Prishtina 1:2

Drenica – Drita 0:3

Ballkani – Trepça ’89 4:3

Arbëria – Llapi 3:2

Feronikeli – Besa 3:1

1. Prishtina 35 78

2. Drita 35 73

3. Ballkani 35 71

4. Gjilani 35 48

5. Llapi 35 42

6. Drenica 35 42

7. Feronikeli 35 41

8. Arbëria 35 40

9. Trepça'89 35 39

10. Besa 35 12

Në xhiron e ardhshme (të fundit), më 23 maj, takohen: Prishtina – Ballkani, Drita – Arbëria, Llapi – Feronikeli, Trepça ’89 – Drenica, Besa - Gjilani