Sport

Suarezi shpëton Atleticon, që është një fitore larg titullit

Descriptive Text

Luis Suarez ka shënuar gol të vonshëm për rikthimin dramatik të Atletico Madridit ndaj Osasunas. Atletico, të dielën mbrëma, fitoi 2:1 ndaj Osasunas, në kuadër të xhiros së parafundit të La Ligës spanjolle.

Suarez, që ishte larguar nga Barcelona si “tepricë”, shënoi në minutën e 88-të pas asistimit të Yannick Carrascos.

Ante Budimir kishte kaluar në epërsi Osasunan me gol në minutën e 75-të. Për 1:1 realizoi Renan Lodi në minutën e 82-të, para se Suarez të vendoste sfidën.

Atletico udhëheq në tabelë me 83 pikë, dy më shumë se Real Madridi. Reali fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Athletic Bilbaos. Nacho Fernandez shënoi golin e fitores.

Ndërkohë Barcelona tashmë është jashtë garës për titull të kampionit. Barcelona pësoi 2:1 në Camp Nou nga Celta Vigo. Lionel Messi shënoi në minutën e 28-të, por Santi Mina realizoi dy gola për fitoren e Vigos. Barça është e treta me 76 pikë dhe mbetet pa titull.