Sport

Guardiola e sheh Torresin si zëvendësues të Agueros

Pep Guardiola e ka përgëzuar Ferran Torresin për paraqitjen e mirë që e pati.

Të premten mbrëma, Torres shënoi tre gola kundër Newcastleit në Premier League. Falë paraqitjes së mirë, tani drejtuesi i skuadrës, Guardiola, e sheh atë si zëvendësues ideal të Sergio Agueros në qendrën e sulmit.

Manchester City fitoi 4:3 në udhëtim te Newcastle në “St. James’ Park”, e përgjigja e Cityt ishte e jashtëzakonshme, pasi dy herë u kthye në lojë pas disavantazhit dhe në fund mori pikët e plota.

“Jo vetëm në këtë ndeshje, natyrisht që ishte e rëndësishme, por sezoni i tij i parë në Angli dhe numrat janë për t’u përgëzuar. Ai erdhi si lojtar i krahut, por duhet të mendojë për t’u bërë sulmues qendre. Kur Sergio e Gabriel ishin jashtë, ai ishte aty. Shënoi gola kundër Leedsit e Crystal Palaceit. Nuk ka pasur shumë minuta, por kur ka luajtur, e kishte nuhatjen e golit”, theksoi pas ndeshjes Guardiola.

“Po, ai mund të bëhet sulmues qendre. Do ta përdorim atë, e kemi përdorur dhe ka qenë brilant. Ritmi i tij, sidomos në fazën e mbrojtjes është përmirësuar shumë. Ai ka talent dhe jam shumë i kënaqur”, theksoi tekniku spanjoll.