Sport

Prishtina për festë në Gjilan, në ndeshjet e tjera vendoset “mbijetesa”

Prishtina do të udhëtojë në Gjilan për ta fituar titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll për edicionin 2020/21. Kështu ka paralajmëruar mesfushori i skuadrës nga kryeqyteti, Qëndrim Zyba, të premten për KOHËN.

Prishtina do të jetë mysafire e Gjilanit në ndeshjen e xhiros së 35-të (të parafundit), që do të zhvillohet të dielën prej orës 15:00. Kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të kampionatit aktual, Prishtina kryeson në tabelë me 75 pikë, pesë më shumë se Drita që renditet e dyta derisa Ballkani tashmë ka dalë nga gara për titull. Është i treti me 68 pikë të mbledhura. Prishtinës i mjafton vetëm një pikë ndaj Gjilanit për t’u shpallur kampione, por Zyba ka insistuar se në këtë duel nuk do të udhëtojnë për barazim, por për pikët e plota.

Për Prishtinën, nëse shpallet kampione, do të jetë titulli i parë prej vitit 2013. Në rast se Prishtina e arrin qëllimin në Gjilan, atëherë ndeshja e xhiros së fundit, që luan në shtëpi ndaj Ballkanit, do të jetë vetëm formalitet për ekipin e trajnerit Zekirija Ramadani.

“Si në çdo ndeshje tjetër, edhe në këtë ndaj Gjilanit do të udhëtojmë për fitore. Shpresojmë që titullin e kampionit ta festojmë në Gjilan. Është një ndeshje mjaft e vështirë, sepse përballë kemi një ekip cilësor si Gjilani, por ne kemi synimet tona dhe besoj se do t’i arrijmë. Megjithatë do ta respektojmë maksimalisht Gjilanin në këtë duel vendimtar për ne”, është shprehur Zyba.

Edhe skuadra e Prishtinës nëpërmjet profilit zyrtar në Facebook ka paralajmëruar fitore në Gjilan. Bardhekaltërit kanë publikuar një kronikë të fitores që e kanë arritur në ndeshjen e fundit në udhëtim ndaj Gjilanit (3:0), me mbishkrimin: “Nga udhëtimi i fundit kundër Gjilanit, më 9 dhjetor në javën e 17-të”.

Prishtina do të jetë e kompletuar për këtë përballje dhe synon ta vazhdojë serinë pozitive që e ka në kampionat. Ka regjistruar fitore në tetë ndeshjet e fundit, kurse nuk di për humbje prej xhiros së 25-të, kur pati pësuar në udhëtim nga Feronikeli (2:0).

Te Gjilani do të jetë në dyshim qendërmbrojtësi Franc Veliu derisa janë të gatshëm për lojë Gerhard Progni e portieri Enea Koliqi, që munguan në duelin e fundit kundër Trepçës ’89, të cilin ekipi i trajnerit Ismet Munishi e humbi me rezultatin 2:1. Gjilani nuk di për fitore në dy ndeshjet e fundit dhe Munishi ka paralajmëruar se ekipi i tij do të futet në fushë për fitore për t’ia prishur festën Prishtinës.

“Kemi pasur shumë probleme me lëndime kohët e fundit dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë deri në ditën e ndeshjes. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë takim që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. Normalisht që do të futemi për fitore, pasi duam të japim maksimumin për një rezultat pozitiv”, është shprehur Munishi. “Jemi duke përgatitur skuadrën për edicionin e ardhshëm dhe jemi duke u përmirësuar nga ndeshja në ndeshje. Të gjithë lojtarët të cilët janë në këtë edicion po japin maksimumin për të bërë paraqitje të mira. Ne sezonin tjetër definitivisht do të jemi ekip që do të luftojë për titullin e kampionit”.

Edhe futbollistët e Drenicës do të japin gjithçka nga vetja për ta mposhtur kampionen në fuqi, Dritën, që udhëton në Skenderaj me synimin për ta mbajtur pozitën e dytë, e cila garanton pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës. Te Drenica kanë paralajmëruar se vetëm fitorja në këtë ndeshje ua mban shpresat gjallë për mbetje në Superligë, që edhe është synim i klubit. Këtë e ka pranuar trajneri Sami Sermaxhaj. Drenica ka treguar formë të mirë kohët e fundit, pasi ka regjistruar tri fitore e po aq barazime në gjashtë ndeshjet e fundit derisa Drita ka një fitore e tri barazime në katër duele.

“Mendoj që ndoshta kjo do të jetë ndeshja me ndikimin më të madh, qoftë për neve, qoftë për Dritën. Qasja jonë edhe në këtë përballje do të jetë sikur në përballjet e tjera, me qëllimin e vetëm që të dalim të pamposhtur në shtëpinë tonë. Vetëm kjo na mban neve në rrugën e mëtejme për realizimin e objektivit që kemi, mbetjen në Superligë”, ka thënë Sermaxhaj.

Të dielën zhvillohen edhe ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje. Ballkani do të përballet në Suharekë me skuadrën e Trepçës ’89, që ende nuk e ka të sigurt mbetjen në elitë. ‘89-shi është i shtati në tabelë me 39 pikë, një më shumë se Feronikeli që zë vendin e tetë, që ofron vetëm barazhin. Feronikeli konsiderohet favorit në Drenas përballë Besës së Pejës, ekip që tashmë përgatitet për Ligën e Parë.

Ndërkohë Llapi do të jetë “mysafir” i Arbërisë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Arbëria është e parafundit në tabelë me 37 pikë, pesë më pak se Llapi që zë vendin e pestë dhe të mërkurën mbrëma e fitoi Kupën e Kosovës.

B O X 1*******

T: Superliga – 35

E diel (15:00)

Gjilani – Prishtina

(Arbitra: G. Shala, B. Selimaj, B. Morina, M. Ajeti)

Ballkani – Trepça ‘89

(Arbitra: D. Çaka, F. Berisha, E. Bicaj, G. Nuza)

Drenica – Drita

(Arbitra: T. Maloku, F. Sekiraqa, M. Berisha, B. Kasumi)

Arbëria – Llapi

(Arbitra: S. Isufi, T. Ibërdemaj, B. Kabashi, V. Kastrati)

Feronikeli – Besa

(Arbitra: A. Shala, L. Muhadri, H. Osmani, L. Jashari)

1. Prishtina 34                     75

2. Drita 34                           70

3. Ballkani 34                      68

4. Gjilani 34                        48

5. Llapi 34                          42

6. Drenica 34                     42

7. Trepça ’89 34                39

8. Feronikeli 34                 38

9. Arbëria 34                     37

10. Besa 34                      12