Sport

“We Are The People” nga Martin Garrix, Bono dhe The Edge është kënga zyrtare e “EURO 2020”

“Sony Music” në Holandë ka bërë të ditur sot se kënga zyrtare e “EURO 2020” është titulluar “We Are The People” dhe vjen si bashkëpunim mes DJ Martin Garrix, Bono dhe The Edge.

Kompania e muzikës ka njoftuar se kënga mund të dëgjohet dhe shkarkohet tani në të gjitha shërbimet digjitale.

Kënga është shoqëruar edhe me videoklip pjesë e të cilit janë të tre artistët e famshëm botërorë.

DJ Martin Garrix ka thënë se e kishte parë të nevojshme përfshirjen në këtë këngë të vokalistit të rok grupit “U2”, Bono e po ashtu të anëtarit tjetër të këtij grupi, The Edge, transmeton Koha.net. Garrix ka bërë të ditur se tekstin e këngës e ka shkruar Bono e po ashtu ka krijuar edhe vijën melodike ndërkaq The Edge do të jetë kitarist.

“Të krijosh muzikë për një prej ngjarjeve më të mëdha sportive më botë, bashkë me Bono dhe The Edge, ka qenë një përvojë fantastike. Jam shumë krenar se çka kemi bërë bashkë dhe i entuziazmuar që ta shpërndajmë punën tonë me të gjithë botën”, ka thënë DJ, Martin Garrix.

Kampionati Evropian që nga viti 1992 krijon këngën zyrtare të saj për çdo kampionat dhe deri më tani, emra të mëdhenj të muzikës janë bërë pjesë e këtij rrugëtimi.

“EURO 2020” është duke u mbajtur në kontinentin e Evropës, me 11 qytete nikoqire, për herë të parë në historinë e garës. Ndeshja e parë do të luhet më 11 qershor të këtij viti në Romë, ndërmjet Turqisë dhe Italisë. Ndërkaq, ndeshja finale do të zhvillohet në Stadiumin Wembley të Londrës, më 11 korrik.