Sport

Llorente me kontratë të re te Atletico

Mesfushori i Atletico Madridit, Marcos Llorente do të shpërblehet me kontratë të re nga klubi spanjoll pas paraqitjeve të mira që ka treguar këtë sezon, ka njoftuar gazeta spanjolle “AS” të martën. Bëhet e ditur se negociatat mes palëve tashmë kanë nisur dhe pritet që marrëveshja të finalizohet brenda këtij muaji. Llorente aktualisht ka kontratë me Atleticon deri në vitin 2024 dhe një pagë vjetore prej 2.5 milionë eurosh.

Me kontratën e re, Llorente do të jetë pjesë e Atleticos deri në vitin 2025 dhe do të ketë pagë vjetore mbi pesë milionë euro. Llorente ishte ndër lojtarët e parë që pranoi ulje të pagës pas kërkesës së klubit shkaku i ndikimit të koronavirusit. Llorente këtë edicion ka shkëlqyer te Atletico, me 13 gola e 11 asistime në 42 ndeshje.