Sport

Zenga del hapur: Dua stolin e Shqipërisë

Kombëtarja shqiptare është një pozicion i lakmueshëm edhe për emra trajnerësh prestigjiozë të skenës europiane. Por meqë Duka ka dhënë sinjale të qarta se dëshiron që pasardhësi i De Biazit të jetë sërish italian, atëherë Valter Zenga del hapur dhe pranon se është gati të marrë drejtimin e Shqipërisë.

“Më duket sikur është një shenjë e fatit. Në vitin 2002, kur trajneri i Shqipërisë ishte Bepe Dossena, unë drejtoja Nacional Bukureshtin dhe jemi ndeshur me Dinamon e Tiranës, të cilën e eliminuam nga Kupat e Europës.

Ndoshta tani është koha të bëhem pjesë e Shqipërisë. Por keni ndryshuar shumë, tani Shqipëria ka tjetër standard”, thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport” Valter Zenga.

Ai thotë se është gati të nisë një aventurë në krye të kuqezinjve, edhe pse e di se do të jetë shumë e vështirë që të përsërisë suksesin e De Biazit dhe Tramexanit.

Mister, dikur keni pasur kontakte me FSHF-në për stolin kuqezi, a jeni ende i interesuar për këtë pozicion?

Po, sigurisht që po. Sot stoli i Kombëtares shqiptare është një pozicion i lakmueshëm. Shqipëria është një skuadër që ka marrë pjesë në Europianin e fundit dhe pa dyshim që më tërheq një aventurë në atë vend.

Ç’mendim keni për De Biazin?

Bëri një punë të shkëlqyer, jo vetëm në aspektin teknik, por edhe psikologjik. Së bashku me Tramexanin arritën diçka madhështore.

Kjo mund të përbëjë problem për çdo trajner që do ta pasojë atë?

Po, e vërtetë, por nuk më tremb një situatë e tillë.

Pse?

Sepse e di që për çdo gjë do të më krahasojnë me De Biazin, por jam gati të marr përsipër edhe një sfidë të tillë.

Pse jeni kaq optimist se mund të vazhdoni në rrugën e De Biazit, kur ai tha se kjo skuadër është e ngopur?

Jam optimist për faktin e thjeshtë sepse ju keni një skuadër shumë të re në moshë. 90 për qind e ekipit tuaj është e datëlindjes pas 1990… Mjafton kaq për të treguar se çfarë potenciali ka skuadra.

Sa e njihni Shqipërinë?

E kam ndjekur disa herë, por në Europian pashë nga afër stërvitjen në Marsejë, para ndeshjes me Francën, ndërkohë që kam qenë edhe në koment në ndeshjen që humbët me transalpinët në minutat e fundit. Ishte rezultat i padrejtë për mënyrën se si luajti Shqipëria. Aty u binda se kjo skuadër ka potencial dhe të ardhme të madhe.

A njihni ndonjë futbollist shqiptar?

Po, njoh personalisht Albert Duron. E kam pasur në skuadër dhe ishte goxha i zoti. Asokohe drejtoja Nacional Bukureshtin dhe kemi eliminuar pas një fitoreje 1-0 dhe një barazimi 2-2 skuadrën e Dinamos së Tiranës…

A ju bezdis fakti që mund t’ju krahasojnë gjithnjë me De Biazin nëse merrni drejtimin e Shqipërisë?

Jo, aspak. De Biazi ka bërë një punë të mirë, por ka lënë edhe një trashëgimi të madhe. Skuadra juaj është shumë e re. Si ish-portier mjafton t’ju kujtoj që keni Strakoshën dhe Berishën në Serinë A dhe kjo më bën të ndihem optimist. Ata janë shumë të talentuar dhe shumë të rinj…

E dini që të gjithë trajnerët në epokën “Duka” kanë qenë të huaj dhe shumica e tyre janë larguar me qejfmbetje, madje pa e mbyllur edicionin…

Nuk përbën aspak problem kjo. Nëse unë e çoj Shqipërinë në Europianin 2020, atëherë Duka le të më shkarkojë menjëherë… (qesh)

Para Europianit kemi edhe katër ndeshje në eliminatoret e Botërorit…

Ah po, ato janë një sfidë më vete. Të duelosh me Italinë dhe Spanjën, por edhe me Maqedoninë dhe Lihteshtejnin, mendoj se është një motivim i madh. Ato 4 ndeshje duhen shfrytëzuar mirë për edicionin pasardhës, ndaj mendoj se janë një shans i mirë për çdo trajner që do të ulet në stolin kuqezi.

Ju keni ndërruar shumë klube në karrierën tuaj si trajner, por shqiptarët duan stabilitet në këtë moment. Pse duhet t’ju besojë juve Duka?

Është e vërtetë që kam ndërruar shumë skuadra, por po ju kujtoj se edhe trajneri i Palmeirasit në Brazil ka ndërruar mbi 20 klube, por ai mbetet i suksesshëm.

Në disa raste nuk kam pasur edhe fat, por gjithsesi janë eksperienca që më kanë shërbyer. Ajo që mund të them është se nëse bëhemi bashkë, pra skuadra, stafi, federata, media dhe tifozët, mund të përsërisim sërish një sukses së bashku për Europianin e vitit 2020.