Sport

Sukses i madh i skuadrës shqiptare nga Tuzi, për herë të parë në gara evropiane

Descriptive Text

Pas fitores së madhe kundër Sutjeskës në Nikshiq, 2:1, të dielën, ekipi shqiptar nga Tuzi, Deçiqi, ka rritur në 11 pikë avantazhin ndaj skuadrës së vendit të pestë, Rudari, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të kampionatit në Mal të Zi.

Skuadra e vetme shqiptare në elitën e Malit të Zi me këtë fitore ka arritur sukses historik. Për herë të parë do të luajë në gara evropiane.

Një gjë të tillë skuadra nga Tuzi e siguroi në xhiron e 33-të, përkatësisht të dielën.

“FT Sutjeska 1-2 Deçiq. Evropa e siguruar!”, ka qenë njoftimi i shkurtër i klubit nga Tuzi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

Deçiqi ka shkuar në kuotën e 53 pikëve, ndërsa Rudari ka 42 pikë.

Dhe ky nuk është suksesi i vetëm për këtë edicion. Deçiqi ka shkuar edhe në finale të Kupës së Malit të Zi. Përballë do ta ketë Buduqnostin. Buduqnosti është konfirmuar tashmë si kampion i ligës, por në Kupë asgjë nuk ka përfunduar. Më 1 qershor, Buduqnosti do ta ketë Deçiqin përballë në finalen e Kupës së Malit të Zi, që në këtë fazë të garës ka shkuar për herën e parë. Në gjysmëfinale e kishte eliminuar Iskran pas fitores minimale 1:0 në Tuz. Dueli i parë gjysmëfinal kishte përfunduar pa gola.

Deçiqi edhe matematikisht e siguroi pjesëmarrjen në skenën evropiane, për herën e parë në histori të klubit.

Në suksesin e arritur në Nikshiq, kontribut dha Kristijan Vulaj që shënoi gol në minutën e 61-të nga pika e bardhë. Për mesfushorin me tipare sulmuese ishte goli i 11-të i kampionatit.

“Është ndjenjë e papërshkrueshme që me klubin tim të arrij këtë rezultat historik. Gjatë gjithë sezonit kemi luftuar dhe luajtur të gjithë si një, prandaj edhe erdhi ky rezultat i madh. Kemi edhe tri ndeshje në ligë dhe dëshirojmë të sigurojmë vendin e dytë në tabelë. Na pret ndeshja finale kundër Buduqnostit për të cilën kemi kohë të përgatitemi”, ka thënë Vulaj të dielën për KOHËN.

“Ndoshta nuk e kemi pritur këtë sukses në fillim, por gjatë sezonit, nga ndeshja në ndeshje, vetëbesimi rritej dhe atëherë filluam të besonim në këtë arritje”, përfundoi 22-vjeçari i mesfushës së Deçiqit.

Golin tjetër e shënoi Admir Adroviq. Për Adroviqin ishte goli i parë në kampionatin malazias sivjet, por qendërsulmuesi mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e ligës së Malit të Zi.

Ky është edicioni më i mirë që ka kaluar Deçiqi në futbollin e Malit të Zi. Të dielën në mbrëmje u konfirmua karakteri i jashtëzakonshëm i skuadrës.

Deçiqi nuk mund të përfundojë më poshtë se pozita e katërt që siguron Evropën. Por, është në garë për nënkampion.