Sport

Lëndimi tjetër i Ramosit mund ta lë atë pa Evropian

Sergio Ramos ka pësuar dëmtim në kofshë. Lajmi është bërë i ditur të shtunën nga vetë klubi madrilen. Kjo ngre mundësinë që mbrojtësi ta ketë luajtur ndeshjen e fundit me klubin.

Ramosi nuk do të jetë i gatshëm për Realin kundër Sevillas të dielën, që do të jetë vendimtare në luftën për titull kampioni.

Derisa kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fund të sezonit, Ramosi mund të mos luajë më për Real Madridin pasi ende nuk e ka vazhduar kontratën që i skadon gjatë kësaj vere.

Trajneri spanjoll Luis Enrique mund të jetë i shqetësuar po ashtu për gjendjen fizike të 35-vjeçarit, para fillimit të Evropianit 2020 muajin tjetër.

“Pas testeve që i janë bërë Serigio Ramosit nga Shërbimi Shëndetësor i Real Madridit, ai ka dalë se ka dëmtim në kofshën e këmbës së majtë”, shkruhet në komunikatën e Real Madridit.

Është dëmtimi i tretë i Ramosit këtë vit. Ai luajti të mërkurën kur u mposht nga Chelsea në Ligën e Kampionëve në gjysmëfinale. Paraprakisht kishte munguar një muaj për shkak të problemit me pulpë.

Ramosi është paraqitur vetëm 21 herë për Real Madridin në të gjitha garat këtë edicion. Është numri më i vogël i paraqitjeve në 15 sezone sa është pjesë e skuadrës.

Spanjolli iu bashkua madrilenëve nga Sevilla në vitin 2005 dhe është kthyer në njërin prej lojtarëve më të suksesshëm ndonjëherë.

I ka fituar 5 tituj të La Ligës, 4 Liga të Kampionëve dhe 2 Kupa të Mbretit.