Sport

Klopp do të mbetet te Liverpooli

Descriptive Text

Trajneri gjerman, Juergen Klopp, do të mbetet në krye të Liverpoolit edhe pas përfundimit të sezonit aktual, ka raportuar të mërkurën “Sky Sports Germany”.

Në fakt, agjenti i tij, Marc Kosicke ka thënë se Klopp është tërësisht i dedikuar pas Liverpoolit dhe nuk do të largohet nga ekipi edhe nëse nuk arrin të siguroj një vend që sezonin tjetër garanton pjesëmarrjen në kupat e Evropës.

“Nuk ka diskutim, Klopp do të jetë trajner i Liverpoolit edhe sezonin e ardhshëm”, ka insistuar Kosicke.

Kampioni në fuqi, Liverpooli këtë edicion ka pasur rezultate të dobëta dhe aktualisht është në pozitën e shtatë në tabelë me 54 pikë të mbledhura kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në përfundim të këtij sezoni.

Klopp, 53-vjeçar, është trajneri i Liverpoolit prej vitit 2015 dhe ka kontratë deri në vitin 2024.

Krahas titullit të kampionit të Anglisë, Klopp e ka fituar me Liverpoolin edhe trofeun e Ligës së Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe botërorin e klubeve.