Sport

Tifozët e Premier Leagues kthehen në tribuna për dy xhirot e fundit

Tifozët do të kthehen në stadiumet e Premier Leagues për dy raundet e fundit të këtij sezoni, me ndeshjet që do të luhen në fund të këtij muaji, me kusht që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të lehtësojë masat e bllokimeve.

Nën udhërrëfyesin e Qeverisë britanike pas lehtësimit të masave, turmat me 10 mijë tifozë ose 25 për qind të kapacitetit të stadiumit, do të lejohen nga data 17 maj. Si rezultat i kësaj, Premier League ka ndryshuar orarin e ndeshjeve për të siguruar që secila nga 20 skuadrat të ketë mundësinë të zhvillojë të paktën një ndeshje në shtëpi me një numër të tifozëve në tribuna. Mbretëria e Bashkuar u ka dhënë më shumë se 34 milionë njerëzve dozën e parë të vaksinës, ndërsa numri i rasteve me të infektuar nga koronavirusi po bie dita-ditës. Me përjashtim të një eksperimenti jetëshkurtër me turma maksimale prej 4 mijë tifozësh në zonat me raste të ulëta të koronavirusit në muajin dhjetor të vitit të shkuar, i gjithë sezoni anglez 2020/21 është luajtur me dyer të mbyllura.

"Premier League ka konfirmuar se dy javët e fundit të ndeshjeve të sezonit 2020/21 do të jenë të kufizuara në tifozët vendas, me kusht që qeveria të lehtësojë kufizimet e bllokimit në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në një deklaratë të lëshuar të mërkurën nga Premier League. “Xhiroja e 37-të, tani do të luhet më 18-19 maj, me ndeshjet finale të sezonit që do të fillojnë në orën 16:00, të dielën më 23 maj siç është planifikuar”.

Asnjë tifoz mysafir nuk do të lejohet në stadium për të lehtësuar sfidat operacionale, por klubet angleze të kategorisë elitare, Premier League, po shpresojnë të kthehen në stadiume të plota për fillimin e sezonit të ardhshëm.

“Tifozët kanë munguar shumë në ndeshjet e Premier Leagues dhe ky shënon një hap kryesor drejt stadiumeve të mbushura, duke përfshirë tifozët mysafirë, që nga fillimi i sezonit 2021/22”, thuhet tutje në njoftim.

Një seri ngjarjesh që kanë shërbyer si prova, janë mbajtur tashmë, ndërsa tifozët ngadalë kthehen të shikojnë nga afër ndeshjet e futbollit në Britani. Fitorja në gjysmëfinale të Kupës FA e Leicesterit ndaj Southamptonit pati të pranishëm rreth katër mijë tifozë në stadiumin “Wembley” muajin e kaluar, ndërsa dyfishi i këtij numri u pa në ndeshjen finale kur Manchester City e ngriti Kupën e Ligës me datën 24 prill. Një turmë prej 21 mijë personash do të shohë nga afër finalen e Kupës së FA ndërmjet Leicesterit dhe Chelseat, që do të zhvillohet më 15 maj. Gjithashtu, stadiumi “Wembley” është vendosur të presë tetë ndeshje të “Euro 2020”-s që nis muajin tjetër, me të paktën 25 për qind të kapacitetit të mbushur me tifozë. Ka shpresë që turma për ndeshjet gjysmëfinale dhe finalen e Kampionatit Evropian mund të rritet deri në 50 për qind të kapacitetit të stadiumit në Londër, që ka 90 mijë ulëse. Kjo shpresë ekziston pas paralajmërimeve të Qeverisë britanike se do të ketë lehtësime të mëtejme të masave anti-COVID në të gjithë Anglinë prej datës 21 qershor.