Sport

Ervin Skela merr drejtimin e ekipit U17 të Frankfurtit

Descriptive Text

Ish-mesfushori i Shqipërisë, Ervin Skela, është emëruar trajner i ekipit U17 të Eintracht Frankfurtit. Ishte klubi gjerman, ai që të hënën njoftoi se Skela do të jetë në krye të ekipit të rinjve për sezonin 2021/22 duke e zëvendësuar në këtë post Sandro Stuppian.

Skela ka firmosur kontratë me Frankfurtin deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm.

“Ervini e njeh klubin mirë dhe ka marrë shumë përvojë gjatë viteve këtu tek Eintrachti. Ai ka dëshmuar se mund ta bartë përvojën e tij profesionale te lojtarët e rinj”, ka thënë Andreas Moeller, kreu i qendrës së performancës te Frankfurti. “Jemi shumë të lumtur që Ervini tashmë po e bën hapin e radhës si trajner me përgjegjësinë kryesore për të punuar me ekipin U17”.

Prej verës së vitit të shkuar, Skela ka qenë përgjegjës për të rinjtë në qendrën stërvitore të Frankfurtit dhe ndihmëstrajner tek ekipi U17. Ai gjithashtu ka punuar edhe si trajner individual. Skela ka punuar në shkollën e futbollit të Frankfurtit prej vitit 2015 dhe është pajisur me licencën e instruktorit të futbollit në vitin 2019.

Si futbollist, ka luajtur për Frankfurtin prej vitit 2011 deri në vitin 2004. Madje, ish-mesfushori e ka udhëhequr ekipin e Frankfurtit drejt promovimit në Bundesligë në vitin 2003. Me 26 gola të shënuar në tri vite, Skela ishte njëri prej lojtarëve kryesor te Frankfurti. Pas largimit nga Frankfurti, Skela ka luajtur në Bundesligë edhe me fanellën e Arminia Bielefeldit, Kaiserslauternit e Energie Cottbusit. Plot 168 paraqitje në Bundesligë dhe 145 në Bundesliga 2, i ka regjistruar si lojtar profesionist.