Sport

UEFA i bashkohet klubeve të Premier Leagues në bojkotimin e rrjeteve sociale

UEFA do t’i bashkohet lojtarëve të ekipeve angleze, klubeve dhe organizatave në bojkotimin e rrjeteve sociale këtë javë, në formë proteste kundër abuzimeve “online”.

Bojkotimit që kryesohet nga klubet e futbollit, do t’u bashkohet edhe sporti i kriketit të Anglisë, Premiershipi i ragbit, si dhe Shoqata Britanike e Tenisit.

Lojtarët si Davinson Sanchez, Marcus Rashford dhe Reece James u sulmuan në baza racore nëpërmjet platformave të rrjeteve sociale, ndërsa klubet u ofruan atyre përkrahjen e plotë.

Heshtja në rrjetet sociale do të nis të premten pasdite, deri të hënën në mbrëmje dhe do t’i përfshijë ndeshjet e organizuara nga UEFA të dielën në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në konkurrencën e femrave.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin nëpërmjet një fjalimi javën e kaluar iu drejtua 55 federatave anëtare, duke kërkuar nga njerëzit në futbollin evropian për të bërë ankesë zyrtare për “mesazhet e papranueshme”.

Kësaj nisme pasdite i është bashkuar edhe Federata e Futbollit të Italisë si dhe organizata FIFPRO, që përfaqëson 65 mijë futbollistë profesionistë.