Sport

Ngritja e madhe e Gambisë dhe Komorosit, kundërshtarëve afrikanë të Kosovës

Një trajner që ka pasur e ka pretendime ta drejtojë Kosovën udhëheq aktualisht Gambinë. Kosova e Gambia luajnë miqësore në qershor. Gambia po kalon ditët më të mira sa i takon futbollit. Është kualifikuar në Kupën Afrikane dhe në ndeshjen ndaj Kosovës do të paraqitet me ekipin më të mirë. Kosova luan edhe me Komorosin, një tjetër përfaqësuese afrikane që do të debutojë në garën elitare kontinentale. Gambia e Komorosi janë përfaqësuese dukshëm më cilësore se San Marino. Ndoshta edhe se Kazakistani. San Marino e Kazakistani janë rivalët e tjerë të Kosovës në qershor

Janë përfaqësuese të panjohura dhe në letër mund të duken edhe përfaqësuese të vogla. Por Komorosi dhe Gambia, dy prej kundërshtarëve të Kosovës në qershor, janë në momentin më të mirë të tyre. Dy përfaqësueset afrikane kanë dukshëm më tepër cilësi se San Marino, ndërsa janë në nivel të njëjtë, nëse jo më të lartë se Kazakistani.

Me San Marinon, më 1 qershor në Prishtinë, dhe me Kazakistanin, më 4 qershor, po ashtu në Prishtinë, Kosova do të luajë me përfaqësuesen më të fortë. Ndërsa për ndeshjet me Komorosin dhe me Gambinë, Kosova do të përbëhet kryesisht nga futbollistë të Superligës. Ndeshjet me Komorosin dhe Gambinë luhen në Antalya të Turqisë, ku Kosova do ta mbajë një kamp prej 5 qershorit. Kështu të paktën ka njoftuar FFK-ja dy ditë më parë.

Derisa ndeshjet me San Marinon dhe Kazakistanin janë përcjellë me më shumë publicitet, ato me përfaqësueset afrikane janë përmendur fare pak. Komorosi dhe Gambia, vende pak të njohura në Kosovë, në futboll janë në momentin më të mirë. Janë dy përfaqësueset e vetme që do të debutojnë në Kupën e Kombeve Afrikane që mbahet në janar të vitit të ardhshëm. Pra garojnë në garën kryesore kontinentale, ku Kazakistani dhe San Marino vështirë se do të depërtojnë së shpejti.

Gambia

Gambia është vend në Afrikën Perëndimore. Ka sipërfaqe të përafërt me Kosovën dhe popullatë pak më të madhe, rreth 2,1 milionë. Futbollistët e Gambisë luajnë në vende të ndryshme evropiane, por jo në nivelin më të lartë, pra jo në top-skuadra evropiane. Belgu me simpati të madhe për Kosovën, Tom Saintfiet, udhëheq Gambinë. Ai më herët kishte shprehur pretendime për ta drejtuar Kosovën. Vazhdon të jetë tifoz i Kosovës.

Gambia luan që prej vitit 1953, por pa ndonjë sukses. Në kualifikime për kampionatin afrikan, Gambia fitoi grupin me Gabonin, Kongon e Angolën.

Saintfiet i gëzohet ndeshjes me Kosovën.

“Vërtet mezi po pres që të luajmë me Kosovën. Ju e dini pasionin tim dhe dashurinë time për Kosovën. Përfaqësuesja e Kosovës do të kualifikohet në një ngjarje të madhe në vitet e ardhshme. Do të jetë ndeshje e vështirë por interesante”, ka thënë Tom Saintfiet për KOHËN, të enjten.

Ai tregon se ka bërë ndryshim të madh te Gambia.

“Kur kam kaluar te Gambia, në korrik të vitit 2018, vendi kishte një ndeshje në pesë vjet, mes vitit 2013 e 2018. Gambia ishte e 172-ta në ranglistën e FIFA-s. Kam ndryshuar shumë gjëra. Kam krijuar ekip të fuqishëm të trajnerëve dhe ekip mjekësor. Kam menaxher të mirë të ekipit dhe përkrahje të federatës. Por, mbi të gjitha, kam vëzhguar shumë lojtarë të rinj e të talentuar. Që nga ardhja ime 24 lojtarë kanë debutuar. Që nga ndeshja e parë në shtëpi, ndaj Algjerisë para 45 mijë shikuesve, kemi marrë rezultate të mira. Kemi marrë rezultate të mëdha ndaj përfaqësueseve të mëdha afrikane. Pra jemi zhvilluar mirë dhe kemi arritur rezultate të shkëlqyeshme”, ka treguar Saintfiet.

Ai ka folur edhe për kualifikimin historik.

“Gambia është vend i vogël në Afrikë. I ka dy milionë banorë. Të kualifikohemi për herë të parë në Kupën e Afrikës është gjë e veçantë. Për më tepër, që jemi ekipi më së ulëti i ranguar në FIFA, që është kualifikuar ndonjëherë për këtë garë. Kemi qenë në një grup me përfaqësuese që vazhdimisht luajnë në Kupën e Afrikës. Gaboni është i 83-ti në ranglistë, Kongo e 60-ta, ndërsa Angola e 12-ta. Fakti që kemi fituar grupin me këto përfaqësuese është i jashtëzakonshëm”, ka theksuar Saintfiet.

Gambia është e 152-ta në ranglistën e FIFA-s. Sipas trajnerit belg, në Gambi janë të çmendur pas futbollit. Të gjithë e luajnë lojën dhe e pëlqejnë. Tregon se kualifikimi është festuar nga të gjithë, duke filluar nga presidenti e deri te fëmijët që dolën nëpër rrugë.

“Njerëzit janë krenarë dhe të lumtur që më në fund janë pjesë e garës më të madhe afrikan”.

Saintfiet e vlerëson të fortë Kosovën dhe thekson se ka përparuar shpejt.

“Për ne është test i mirë që të luajmë me një përfaqësuese të fortë evropiane si Kosova. Ne vetëm mund të mësojmë nga kjo ndeshje dhe të bëhemi më të mirë. Unë e përcjell Kosovën për vite të tëra. Vërtet besoj se Kosova në të ardhmen e afërt do të kualifikohet në Evropian apo edhe në Botërorin 2026. Ka shumë kualitetet, shumë pasion te Kosova”, thotë Saintfiet.

Ai planifikon të ftojë shumë lojtarë për kampin në Turqi. Do të ftojë edhe lojtarët më të mirë si Omar Colley (Sampdoria), Musa Barrow (Bologna), Ebrima Colley (Verona), Assan Ceesay (Zuerich)...

“Gambia është vend i mrekullueshëm për pushime. Shumë i sigurt, me njerëz të dashur, me plazhe të bardha. Ka shumë hotele të bukura e restorante dhe është vetëm gjashtë orë fluturim larg Brukselit. Njerëzit e duan futbollin, duan të punojnë fort dhe janë të disiplinuar. Gambinë e quajnë Bregu i buzëqeshur i Afrikës”, tregon trajneri belg.

Image

Komorosi

Komorosi në ranglistën e FIFA-s mban vendin e 131-të, derisa Kosova është e 120-ta. Kazakistani renditet i 124-i, kurse San Marino e fundit (210).

Komorosi mbeti i dyti në grup në kualifikime për Kupën e Afrikës. Superfuqia afrikane, Egjipti, fitoi grupin, derisa pas mbetën Kenia dhe Togo.

Pjesë e FIFA-s Komorosi është vetëm nga viti 2005. Për herë të parë do të luajë në kampionatin afrikan.

Lojtarët e Komorosit luajnë kryesisht në kampionatin francez, disa prej tyre në Ligue 1.

Selektor është trajneri vendas, Amir Abdou.

Komorosi është ishull në Oqeanin Indian. Ky vend ka tri gjuhë zyrtare. Pos gjuhës lokale, zyrtare janë edhe frëngjishtja dhe arabishtja. Komorosi si shtet është pjesë e Ligës Arabe. Ka vetëm 850 mijë banorë.

Ndeshjet me Komorosin dhe Gambinë do të jenë sfida të vërteta për ekipin B të Kosovës. Do të jenë rivalë me stil tjetër të futbollit, por që do të shërbejnë për të ardhmen.