Sport

Muriq beson se do të zhvillohet edhe më shumë te Willemi

Descriptive Text

Portieri i Kosovës, Aro Muriq nuk është aspak pishman që ka pranuar t’i bashkohet ekipit Willem II gjatë afatit kalimtar të janarit.

Në një intervistë për “BD.nl” të mërkurën, Muriq ka thënë se te ekipi holandez do të zhvillohet edhe më shumë si portier dhe është optimist se Willemi do të mbetet pjesë e Eredivisiet edhe sezonin e ardhshëm.

Aktualisht, Willemi është në pozitën e 15-të në tabelë me 25 pikë, tri më shumë se VVV-Venlo që renditet i parafundit. Muriq në fillim të këtij viti iu bashkua Willemit dhe deri më tani ka dhjetë paraqitje në kampionatin holandez.

“Fillimi te Willemi nuk ka qenë aspak i lehtë por e kam ditur se gjërat do të përmirësohen. Jam person optimist dhe do të vazhdoj kështu përpara. Te Willemi gjithashtu e kam mundësinë që të zhvillohem edhe më shumë si portier dhe të përmirësohem në çdo aspekt”, është shprehur Muriq.

“Nuk jam pishman që erdha te Willemi. E dija që Willemi është në pjesën e poshtme të tabelës dhe e ndjeva si një sfidë për mua. Mendova se do të ishte mirë ta ndihmoj këtë klub të ngjitet në tabelë dhe jam i emocionuar që jam pjesë e këtij klubi”.

Muriq, 22-vjeçar, është në pronësi të Manchester Cityt, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2024. Ai është i huazuar te Willemi deri në fund të këtij sezoni kurse para ekipit nga Holanda, portieri ishte i huazuar edhe te Girona në pjesë e parë të edicionit.