Sport

Federatat ende pa buxhet, KOK-u i kërkon MKRS-së që të nënshkruhen

Memorandumet Federatave sportive në vend ende nuk u është ndarë buxheti për vitin 2021. Shumica e Federatave funksionojnë nga mjetet që i marrin prej buxhetit të shtetit. Ndarja e parave bëhet përmes Memorandumeve të Bashkëpunimit që federatat sportive i nënshkruajnë me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Por ndonëse po përfundon muaji i katërt i vitit, MKRS-ja nuk ka nënshkruar memorandumet me federatat sportive. Komiteti Olimpik i Kosovës i ka kërkuar të martën MKRS-së që memorandumet të nënshkruhen sa më shpejtë. Drejtuesit e KOK-ut kanë mbajtur takim me drejtuesit e Ministrisë.

“KOK-u ka kërkuar nga Ministria që të bëhet sa më parë nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit me federatat sportive dhe KOK-un, pasi federata ndodhen në krizë financiare shkaku i mungesës së buxhetit për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare e po ashtu në garat që vlejnë për pikë olimpike. Ministri Hajrulla Çeku premtoi se kjo çështje do të kryhet sa më parë në mënyrë që KOK-u dhe federatat sportive të fillojnë të marrin buxhetin që u takon sipas kategorizimit të sportit, sportistëve dhe trajnerëve”, ka njoftuar KOK-u.