Sport

Rahoveci fiton gjysmëfinalen e parë ndaj Yllit

KB Rahoveci e ka nisur me fitore serinë e gjysmëfinaleve të “play-offit” pasi ka mposhtur të dielën në palestrën “Mizair Isma” Golden Eagel Yllin me rezultatin 69:66.

Fundi ishte dramatik me vendasit që fituan me pikët e shënuara nga Altin Morina.

Skuadra e Rahovecit në dy periudhat e para dominoi duke shkuar në pushim me 14 pikë dallim 41:27.

Por skuadra nga Suhareka arriti ta fitoj çerekun e tretë 16:9 për të hyr në periudhën e fundit me rezultatin 50:43.

10-të minutëshi i fundit ishte dramatik. Ylli arriti fillimisht të barazoi rezultatin në 59:59 tre minuta pa përfunduar takimi.

Me pesë pikë të shpejta nga Valon Bunjaku dhe Erjon Kastrati mysafirët krijuan epërsi prej pesë pikëve 64:59.

Por vendasit nuk u dorëzuan duke shënuar pikë të shpejta me Darrel Davis dhe Altin Morinën për të afruar rezultatin në 66:65.

Deri në fund vendasit shënuan edhe katër pikë me Morinën e Davis për rezultatin 69:66.

Lojtari më i dalluar te Rahoveci ishte Darrel Davis me 23 pikë tetë kërcime dhe pesë asistime.

Te Ylli me lojë të mirë u veçua Demetris Morant me 12 pikë e tetë kërcime.