Sport

Federata gjermane e habitur që UEFA konfirmoi Munichun për “Euro 2020”

Federata e Futbollit e Gjermanisë (DFB) të premten e priti me maturi vendimin e UEFA-s për të lejuar Munichun të mbetet qytet nikoqir i “Euro 2020”, mes shqetësimeve nëse tifozët mund të marrin pjesë në ndeshjet në Bavari, me Gjermaninë që aktualisht është në valën e tretë të pandemisë COVID-19.

“Ne shpresojmë për ndeshje të shkëlqyera të Evropianit në Munich, ndoshta edhe para publikut, nëse zhvillimi i pandemisë e lejon një gjë të tillë”, tha presidenti i Federatës gjermane, Fritz Keller.

Të premten, UEFA hoqi Dublinin dhe Bilbaon si qytete pritëse, për shkak të dështimit të tyre për të garantuar pjesëmarrjen e tifozëve në tribuna. Por, Munichu u konfirmua vend mikpritës në minutën e fundit. UEFA, për t’i konfirmuar qytetet mikpritëse të “Euro 2020” që mbahet këtë verë, ka kërkuar që të garantohet prania e tifozëve në 25 për qind të kapacitetit të stadiumit.

Ndeshjet e parapara të zhvillohen në Dublin do të zhvendosen në Londër dhe St. Petersburg, ndërsa Sevilla do ta zëvendësojë Bilbaon si qytet nikoqir i Spanjës.

Sidoqoftë, kishte frikë se Munichu mund të humbte statusin e qytetit pritës, për shkak se prania e spektatorëve është e ndaluar në ngjarjet e mëdha si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Qeveria bavareze ka rënë dakord për të lejuar 14.500 tifozë në ndeshjet e Kampionatit Evropian, që do të zhvillohen në stadiumin “Allianz Arena”. Megjithatë, shifra mund të ndryshojë “nëse shëndeti publik do të rrezikohej nga një zhvillim i pafavorshëm” i pandemisë, thuhet në deklaratën e Federatës gjermane. Kampionati Evropian do të mbahet në 11 vende të ndryshme, nga 11 qershori deri më 11 korrik. Stadiumi “Allianz Arena” i Munichut do të presë ndeshjen e parë të Përfaqësueses së Gjermanisë në “Euro 2020”, që do ta zhvillojë kundër Francës më 15 qershor.

Edhe ndeshjet e tjera të Gjermanisë – që do t’i ketë në fazën e grupeve me Portugalinë dhe Hungarinë – do të zhvillohen në Munich. Në këtë stadium do të luhet edhe një duel çerekfinal i Evropianit.

Dublini dhe Bilbao e kanë humbur organizimin e ndeshjeve, për shkak se qeveria irlandeze dhe zyrtarët e regjionit bask nuk kanë qenë në gjendje t’i garantojnë UEFA-s praninë e tifozëve në tribuna. Kështu që katër ndeshjet e parapara të zhvilloheshin në Dublin janë bartur në qytetet e tjera. Tri duelet e fazës grupore të Dublinit tani do të luhen në St. Petersburg të Rusisë, derisa ndeshja e 1/8 së finales do të luhet në Londër.

Ndërkohë, Sevilla ka marrë përsipër organizimin e katër ndeshjeve të Bilbaos. Në fakt, qeveria spanjolle ka dhënë lejen që në “Estadio La Cartuja” të lejohet prania e tifozëve deri në 30 për qind të kapacitetit të stadiumit.

“UEFA shpreh keqardhje për Bilbaon e Dublinin dhe i falënderon për gatishmërinë që kishin. Të dyja stadiumet janë të rëndësishme dhe pritet në të ardhmen t’i organizojnë ngjarjet e UEFA-s”, thuhej në komunikatën e UEFA-s. “Gjithashtu, UEFA mirëpret që në 11 stadiumet e tjera do të lejohet kthimi i sigurt i tifozëve në këtë festë të futbollit”.