Sport

Liburn Shala, 17-vjeçari i A&N-së që ka shënuar 103 gola

Një tjetër talent po rritet te skuadra e A&N-së nga Prizreni. Bëhet fjalë për sulmuesin e ri, Liburn Shala, i cili armën më të fortë e ka goditjen nga distanca. Të veçantat e 17-vjeçarit nga Banja e Malishevës janë se ai e ka prekur shifrën e 103 golave deri më tani në tri sezonet e fundit. Ndërkohë karrierën e ka nisur ende pa i mbushur 15 vjet. Ai tregon për “Sportin në KTV” se disa gola i ka shënuar edhe në “Gothia Cup”, turne që mbahet çdo vit në Suedi. Shala nuk harron t’i falënderojë as bashkëlojtarët. E po ashtu zbulon se si e nisi karrierën në futboll.

“Është një shifër shumë e lartë e golave që kam shënuar deri më tani. Janë 103 gola që i kam shënuar gjatë periudhës afër tre vjet. Golat janë shënuar falë punës dhe angazhimit që kam bërë, por edhe falë bashkëlojtarëve. Forma ime dhe golat kanë ardhur edhe si rezultat i punës së madhe që kam bërë në stërvitje vazhdimisht”, është shprehur Shala. “103 gola janë shumë për ekipin, por është pikërisht ekipi që më ndihmoi që unë t’i shënoj aq gola. Karriera ime ka nisur ende pa i mbushur 15 vjet. Kërkova nga prindi që të më dërgojë të ushtroj futboll dhe ai më tha që po, do të shkojmë. Aty fillova dhe e panë që jam shumë i dhënë pas futbollit. Më pas fillova me suksese. Çdoherë familja ka qenë pranë meje dhe më ka ndihmuar shumë”.

Me grupmoshën U19 të ekipit nga Prizreni, Shala e ka fituar titullin e kampionit këtë edicion duke u ngjitur në Superligë për sezonin tjetër. Në ndeshjen finale ai shënoi dy gola në fitoren kundër Malishevës me rezultatin 4:1. Ai zbulon se si për të ndihmuar skuadrën ka luajtur për dy grupmosha brenda ditës, për U17 dhe U19 të A&N-së.

“Arritëm që të bëhemi kampion me ekipin A&N U19 dhe e kemi siguruar kalimin në Superligën e Kosovë për këtë grupmoshë. Ky është një sukses i madh për klubin që është themeluar në vitin0 2017, por edhe për mua si lojtar. Përkushtimi i madh, puna serioze dhe atmosfera e mirë që mbretëron në klub kanë bërë që ne të dalim kampion. Mendoj që e kemi arritur këtë sukses me plot meritë”, deklaroi Shala. “Unë jam golashënuesi më i mirë i ekipit, por këtu kam ardhur edhe falë shokëve të ekipit. Suksesi im më i madh ka qenë në Shkodër ku kemi marrë pjesë në atë turne. Jam shpallur si talent i së ardhmes”.

Për t’i arritur të gjitha këto suksese, Shala udhëton çdo ditë nga Banja e Malishevës për në Prizren, ku bën rreth 130 kilometra në ditë. Ai e pranon se vështirësitë janë të mëdha, por nuk harron përkrahjen e familjes. Shala deri më tani nuk ka munguar në asnjë stërvitje të ekipit të tij, por as në ndeshje.

“Vështirësitë nuk janë të vogla. Unë me axhën tim i bëjmë çdo ditë rreth 130 kilometra nga Banja e Malishevës për në Prizren, pra vajtje-ardhje. Edhe përkundër telasheve të ndryshme, asnjëherë nuk jemi ndalur. Çdoherë kam qenë në stërvitje. Deri me tani nuk kam munguar asnjëherë në stërvitje e po ashtu as në lojë. Nuk kam pasur lëndime e as nuk kam munguar për shkak të kartonëve. Deri këtu meritë të madhe ka familja ime, që e falënderoj”, tha Shala.

Për Shalën ka oferta të shumta. Ai ka parakontratë me një kompani nga Italia. Synimet e tij janë që të luajë në Evropë në të ardhmen e afërt.

“Kontakte kemi me disa klube. Por është një kompani italiane e cila ka shprehur interesim për mua dhe ekipi A&N ka parakontratë njëvjeçare me ta. Unë jam nën menaxhimin e tyre. Shpresoj që në vazhdim të ketë gjëra edhe më të mira në këtë drejtim, pasi synimet e mia janë të larta. Synimi im është që të dal në Evropë. Po punoj çdo ditë për këtë. Besoj që me punë mund t’ia dal”, u shpreh Shala.

Ai ka qenë edhe pjesë e Kosovës U15 dhe shpreson që një ditë të veshë edhe fanellën e ekipit A.

“Është nder dhe kënaqësi e madhe ta djersitësh fanellën e Kosovës. Unë kam qenë pjesë e U15 dhe kam kaluar shumë mirë. Shpresoj që në të ardhmen të luaj edhe për ekipin A të Kosovës. Kjo është ëndrra ime e madhe dhe besoj e shumë lojtarëve të rinj”, përfundoi Shala.

Liburn Shala karrierën e kishte nisur te Malisheva. Më pas ka luajtur te Prizrenspori dhe Winneri. Kurse që nga viti 2017 është pjesë e A&N-së.