Sport

Lojtarët dhe tifozët i gëzohen “ditës së bukur për futbollin”, dështimit të Superligës

Descriptive Text

Lojtarët, ekspertët dhe tifozët brohorisnin një “ditë të bukur për futbollin” pasi Superliga e shkëputur Evropiane u shpërbë me tërheqjen e gjashtë klubeve angleze që ishin regjistruar në garën e diskutueshme. Skuadrat nga Premier League u tërhoqën të martën mbrëma derisa të mërkurën është tërheqja e ekipeve të tjera, atyre nga Serie A dhe La Liga. Pas një stuhie protestash, kërcënimesh e sanksionesh nga organet drejtuese evropiane dhe botërore të futbollit, Superliga tha që do të “rishikojë” hapat e saj të ardhshëm pasi u reduktua prej 12 në pak skuadra.

Të mërkurën largimin nga Superliga Evropiane e konfirmuan edhe Interi, Milani e Atletico Madridi. Pas këtyre njoftimeve ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher, e deklaroi garën të vdekur.

“Superliga ka mbaruar! Bravo për të gjithë tifozët në gjithë botën!”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Manchester City ishte ekipi i parë që u tërhoq nga Superliga, përpara se Arsenali, Manchester Unitedi, Liverpooli, Tottenhami dhe Chelsea të njoftonin se po ndiqnin shembullin e njëjtë.

“Çfarë dite e bukur për futbollin. Le të vazhdojmë të luajmë, le të vazhdojmë të luftojmë, le të vazhdojmë të ëndërrojmë”, tha mbrojtësi i Cityt, Benjamin Mendy, të mërkurën.

Nënkryetari ekzekutiv i Manchester Unitedit, Ed Woodward, u bë viktima e parë e reagimit, duke njoftuar dorëheqjen pak para se klubi i tij të hiqte dorë nga një projekt që ai kishte ndikim në realizimin e tij. Tërheqjes nga Superliga i janë gëzuar edhe futbollistët e Atletico Madridit, të cilët kanë përshëndetur vendimin e klubit. Atletico është bërë klubi i parë nga La Liga që ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e Superligës Evropiane derisa nga Barcelona e Real Madridi ende nuk kanë reaguar.

“Nga skuadra e Atleticos ne duam të komunikojmë kënaqësinë tonë për vendimin përfundimtar për t’u tërhequr nga projekti i Superligës”, pranoi kapiteni i Atleticos, mesfushori Koke.

Ndërsa trajneri Diego Simeone ka shtuar: “E dija që klubi do të merrte vendimin e duhur dhe kjo ishte ajo që ndodhi. Kjo është mirë për të gjithë”.

Në fakt, ishin tifozët e skuadrave angleze ata që sollën ndryshimet. Në vetëm 48 orë, tifozët anglezë të futbollit detyruan katër miliarderë, një oligark rus dhe një sheik të marrin vendim për tërheqje nga Superliga Evropiane, e cila edhe u shemb pas largimit të gjashtë klubeve nga Premier League. Të tronditur nga fitorja e tyre, grupet e tifozëve tani po mblidhen për të bërë ndryshime të mëtejshme, duke filluar me bordet e klubeve.

“Kjo duhet të jetë një pikë kthese për futbollin, dhe duhet të jetë një pikë kthese edhe për Manchester Unitedin. Kjo është një mundësi reale për familjen Glazer tani të ndryshojnë rrugën aktuale të trashëgimisë së tyre dhe të hapin derën për aksionet e tifozëve me të drejta të plota vote”, ishte komunikata e tifozëve të Manchester Unitedit.

Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, që ishte njëri prej projektuesve të Superligës, pranoi se projekti nuk mund të jetësohet pas daljes së skuadrave angleze. “Superliga Evropiane nuk mund të vazhdojë pas daljes së gjashtë klubeve angleze. Megjithatë, unë mbetem i bindur për bukurinë e atij projekti”, tha Agnelli, që pretendoi se Superliga Evropiane do të kishte qenë “gara më e mirë në botë”.

Pas reagimit të Angellit, erdhën edhe tërheqjet e skuadrave nga Serie A, fillimisht Interit dhe pastaj edhe Milanit. Juventusi doli me komunikatë zyrtare por kampioni në fuqi i Italisë nuk e konfirmoi plotësisht tërheqjen nga ideja e Superligës. Në të vërtetë Juventusi këmbënguli se klubet që janë tërhequr nga Superliga nuk i kanë përfunduar ende procedurat e nevojshme, por pranoi që projekti nuk mund të kompletohet në formën e konceptuar fillimisht.

“Në lidhje me njoftimin për shtyp të botuar nga Juventusi më 19 prill 2021, në lidhje me krijimin e propozuar të Superligës, dhe debatin publik pasues, lëshuesi sqaron të jetë në dijeni të kërkesës dhe qëllimeve të shprehura ndryshe nga klube të caktuara të tërhiqen nga ky projekt, megjithëse procedurat e nevojshme të parashikuara nga marrëveshja midis klubeve nuk kanë përfunduar”, thuhej në njoftimin zyrtar. “Në këtë kontekst ndërsa Juventusi mbetet i bindur për qëndrueshmërinë e hapësirave sportive, komerciale dhe ligjore të projektit, beson se aktualisht ka shanse të kufizuara që projekti të përfundojë në formën e konceptuar fillimisht. Juventusi mbetet i përkushtuar për të ndjekur krijimin e vlerës afatgjate për kompaninë dhe të gjithë industrinë e futbollit”.

Me qëndrim zyrtar të mërkurën doli edhe skuadra e Milanit. Deklarata e klubit nga “San Siro” nuk specifikon saktësisht largimin nga Superliga, ndonëse disa mediume italiane insistojnë se Milani nuk do të jetë më pjesë e këtij projekti.

“Ne e pranuam ftesën për të marrë pjesë në projektin e Superligës me qëllimin e mirëfilltë për të ofruar një garë më të mirë të mundshme evropiane për tifozët e futbollit në të gjithë botën dhe në interesin më të mirë të klubit dhe tifozëve tanë”, thuhet në njoftim. “Ndryshimi nuk është gjithmonë i lehtë, por evolucioni është i domosdoshëm për përparimin dhe strukturat e futbollit evropian janë zhvilluar dhe ndryshuar gjatë dekadave. Sidoqoftë zërat dhe shqetësimet e tifozëve në të gjithë botën janë shprehur qartë për Superligën dhe Milani duhet të jetë i ndjeshëm ndaj zërit të atyre që e duan këtë sport të mrekullueshëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për të dhënë një model të qëndrueshëm për futbollin”.

Për dallim prej klubeve të tjera, vetëm Real Madridi e Barcelona nuk kanë dalë me ndonjë njoftim zyrtar në lidhje me tërheqjen nga Superliga Evropiane. Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, nuk ka dhënë shumë informata në lidhje me klubin e tij për këtë çështje të mërkurën në konferencën për shtyp.

“Unë fola me presidentin Joan Laporta dje dhe ai shpjegoi pozicionin e klubit. Por shumë kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Është më mirë të mos thuash shumë tani, askush nuk e di se çfarë do të ndodhë. Kishte skuadra që ishin brenda; tani ato thonë se nuk duan të jenë brenda. Ajo që unë dua më shumë është më e mira për këtë klub”, shtoi Koeman.