Sport

Rënia e madhe e ish-kampiones

Vushtrria nuk është klubi i vetëm kampion që ka pasur rënie. Rënie pasi kanë fituar titull të kampionit kanë pasur edhe Besiana, Besa, Trepça, Hysi, Trepça ’89. Besiana dhe Hysi tashmë janë shuar, ndërsa Besa, Trepça dhe Trepça ’89 nuk po kanë stabilitet viteve të fundit

Shtatë vjet më parë klubi i futbollit Vushtrria shënoi suksesin më të madh që prej themelimit. Fitoi titullin e kampionit, që ishte edhe i pari në histori të klubit gati një shekull të vjetër. Por sot Vushtrria është në situatë të rëndë. Te Vushtrria mungon organizimi, ndërsa mirë nuk qëndrojnë edhe në aspektin financiar, shtylla këto që vlerësohen të jenë të rëndësishme për sukses.

Por, si pasojë e mungesës së organizimit dhe aspektit financiar, Vushtrria rrezikon qëndrimin në Ligën e Parë - Grupi A. Është në vendin e fundit me 20 pikë të mbledhura pas 23 xhirove. Fundin e tabelës e preku të martën kur edhe e humbi me rezultat zyrtar (3:0) ndeshjen ndaj Vëllaznimit, rivalit për mbijetesë në Ligën e Parë (Kategoria e Dytë) e Kosovës. Vushtrria e humbi ndeshjen në tavolinë për shkak se angazhoi lojtarin Drilon Fazliu, i cili kishte katër kartonë të verdhë. Pronari i klubit, Bajrush Kajtazi, pranon problemet e shumta që ka klubi. Por ai ka thënë se nuk po ka përkrahje nga askush dhe për këtë arsye Vushtrria ka ardhur në gjendjen aktuale.

“Ndoshta menaxhimi jo i mirë, mungesa e përkrahjes nga qyteti e po ashtu edhe Komuna kanë ndikuar në rënie. Jo vetëm që nuk na ka ndihmuar Komuna, por na e ka kthyer edhe të mbrapshtën. Përkrahjen e vetme e kemi pasur së fundi prej FFK-së. Unë i kam caktuar njerëzit për t’i drejtuar punët në klub dhe personalisht jam marrë pak. Nuk po u lë faj atyre, fajin e kemi të gjithë, edhe unë që kam besuar edhe tek ata që nuk e kanë kryer punën. Shpresat për mbetje në ligë i kishim te kjo ndeshja e fundit kundër Vëllaznimit, por na ka trazuar edhe pse ka edhe disa ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund. Ende nuk kam diskutuar me asnjë pse ka ndodhur dhe si ka ndodhur lëshimi. Duhet ta analizojmë për të marrë vendime më pas”, ka thënë Kajtazi të mërkurën për KOHËN.

Kajtazi u emërua pronar i klubit Vushtrria në gusht të vitit 2019, kur Kuvendi Komunal i Vushtrrisë pati votuar unanimisht për privatizimin e klubit të futbollit, Vushtrria. KF Vushtria është klub privat, ndërsa ishte vlerësuar se do të ketë investime të mëdha në klub për t’ia rikthyer lavdinë e dikurshme që e kishte në elitën e futbollit kosovar për sa kohë ishte. Privatizimi ishte kontestuar. Madje ishte kërkuar edhe shkarkimi i Kajtazit nga klubi.

Me gjendjen në klub pakënaqësi kishte shfaqur edhe tifozëria “Forca”, e cila edhe pati protestuar.

Por Kajtazi pati insistuar se është legjitim dhe ka vazhduar punën si pronar i klubit, ndërsa ka qenë i hapur të gjejë një zgjidhje edhe me Komunën e Vushtrrisë.

“Kam qenë i hapur të presë ndihmë apo zgjidhje të problemeve për të parë se si të organizohemi më mirë apo edhe të kemi rezultate më të mira. Unë jam ende pronar i klubit dhe çka ndodh të nesërmen apo më vonë nuk e di. Nuk mund ta lë Vushtrrinë në pozitë të keqe, dua të vazhdoj për t’i përmirësuar gabimet që i kemi bërë”, është shprehur Kajtazi.

Kajtazi ka insistuar se aspekti financiar në klub ka qenë stabil para pandemisë së koronavirusit. Por, si të gjitha klubet e tjera, thotë se është prekur nga kriza që ka shkaktuar pandemia. Vushtrria titullin në edicionin 2013/2014 atëbotë e pati fituar me emrin Llamkos Kosova. Për Llamkos Kosovën luajti edhe ylli i Kosovës dhe Werder Bremenit, Milot Rashica. Madje nga shitja e Rashicës në Werder Bremen nga Vitesse pati përfituar financiarisht klubi vushtrrias. Konsiderohet ndër klubet më të vjetra në Kosovë, ndërsa kanë dalë edhe futbollistë tjerë që karrierë kanë bërë jashtë vendit si Armend Dallku, Ahmed Januzi, Isa Sadriu dhe Besnik Kollari.

“E kemi pasur në fillim të sezonit një buxhet të caktuar se sa do të kemi shpenzime, ndërsa kemi pasur premtime edhe nga Komuna, por që nuk kemi gjetur përkrahje. Nuk kemi pasur sponsor, ndërsa me aq sa kemi pasur buxhet ka ndarë për klub. Kam kërkuar ndihmë për të mos pasur probleme financiare, por kemi gjetur mbështetje vetëm nga Komuna dhe dy sponsorë të vegjël që na kanë ndihmuar hatri i shoqërisë”, ka thënë Kajtazi.

KOHA ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Komuna e Vushtrrisë, përkatësisht drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Arta Ismajli. Por Ismajli nuk ka qenë e qasshme të mërkurën.

Në fakt Vushtrria nuk është klubi i vetëm kampion që ka pasur rënie. Rënie pasi kanë fituar titull të kampionit kanë pasur edhe Besiana, Besa, Trepça, Hysi, Trepça ’89. Besiana dhe Hysi tashmë janë shuar ndërsa Besa, Trepça dhe Trepça ’89 nuk po kanë stabilitet viteve të fundit.