Sport

Kongresi i UEFA-s dënon planet për Superligën Evropiane

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka mbajtur Kongres të jashtëzakonshëm sot në Montreux të Zvicrës pas krijimit të Superligës Evropiane. UEFA ka njoftuar se 55 federatat anëtare të saj unanimisht kanë aprovuar një deklaratë për të dënuar fuqishëm Superligën Evropiane.

12 klube të mëdha evropiane të dielën kanë njoftuar për themelimin e Superligës Evropiane, që do të jetë garë e mbyllur e do të luhet mesjavë, siç është njoftuar.

UEFA ka paralajmëruar klubet dhe lojtarët që marrin pjesë në këtë garë, të cilën e kanë quajtur se është kundër frymës sportive.

“55 federatat anëtare dhe pjesëmarrësit në Kongresin e UEFA-s kanë dënuar deklaratën e të ashtuquajturës ‘Superligë’. Kongresi i UEFA-s është i prerë se ‘Superliga’ e mbyllur bie në ndesh me vetë konceptin e asaj që do të thotë të jesh evropian: i unifikuar, i hapur, mbështetës dhe parimor mbi vlerat sportive. UEFA dhe federatat anëtare beson në një model të vërtetë evropian që është e bazuar në gara të hapura, solidaritet dhe rishpërndarje për të siguruar qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e lojës për të mirën e të gjithëve dhe promovimin e vlerave evropiane dhe rezultateve shoqërore. Klubet konspirative kanë dështuar të shohin që statusi i tyre sot nuk është arritur në izolim, por si pjesë e një sistemi dinamik evropian ku klubet e mëdha, të mesme, e të vogla të gjitha kanë kontribuuar në sukseset dhe humbjet e të gjithëve. Është një fyerje e vlerave evropiane dhe meritave sportive që ata supozojnë se kanë të drejtë të “ndahen” dhe të pretendojnë për trashëgiminë që të gjithë e ndërtua. UEFA, federatat anëtare dhe të gjithë ata që e duan futbollin janë të vendosur dhe do t’i rezistojnë fuqishëm e do të luftojnë këtë lëvizje nga pronarët e këtyre klubeve dhe mbështetësit e tyre në masën më të plotë të mundshme. Ne e dimë, moralisht, çfarë është në rrezik dhe do të mbrojmë futbollin nga ky klan egoist që nuk shqetësohet fare për lojën. Ne jemi futbolli evropian. Ata nuk janë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.