Sport

E arta evropiane e Akilit kompleton suksesin kulmor të Kosovës në xhudo

Medaljet e arta në Paris, Zagreb e Budapest dhe medaljet e tjera në shumë qendra të rëndësishme të xhudos, kishin konfirmuar potencialin e madh të xhudistit Akil Gjakova. Ai ka shumë medalje në turnetë Grand Slam e Grand Prix. Ka edhe shumë medalje në garat më të mëdha të kategorive të reja.

Por, për medaljen të cilin e fitoi të shtunën, Akili ka pritur gjatë. Gjatë ka pritur edhe trajneri Driton Kuka. Dhe mjeshtri Kuka më në fund ndihet i kompletuar.

Prej së shtunës, Akil Gjakova është kampion i Evropës në xhudo. Më nuk është në hije të xhudisteve elitare të Kosovës. Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka kanë fituar krejt çka mund të fitohet në sportin e xhudos. Pritej vetëm një medalje e Akilit nga kampionatet e vërteta për ta kompletuar suksesin e xhudos kosovare. Ajo erdhi të shtunën në Lisbonë të Portugalisë.

Secila medalje do të ishte me shumë peshë për Akilin, trajnerin Kuka dhe ekipin e Kosovës në xhudo. Por 25-vjeçari vendosi të shkojë deri në fund. Deri në majë të podiumit.

Në kategorinë me konkurrencën më të madhe, atë deri 73 kilogramë, Akili ishte i pandalshëm. Ditën e nisi si bartës i dytë dhe e përfundoi si i pari i kontinentit.

Gjuajtjet e tij ishin maestrale. Ai edhe më parë njihej si një prej xhudistëve më atraktivë. Aftësinë për hedhje mjeshtërore e të bukura vetëm e konfirmoi. Izraeliti Ido Levin, gjermani Anthony Zing, rusi Musa Mogushkov, zvicerani Nils Stump dhe izraeliti Tohar Butbul u mposhtën nga Gjakova. Finalja natyrisht ishte e veçantë, u vendos në kohën shtesë me Akilin që realizoi “Waza-ari”. Në gjysmëfinale me Stumpin helvetik nuk shfaqi më të mirën, por në momentin e duhur realizoi hedhje mjeshtërore. Rusi Mogushkov mori tri dënime e dy të parët ishin “viktima” të aksioneve të përkryera të mësuara në sallën e klubit “Ippon” në Pejë.

Dhe prej së shtunës, Akili nuk është vetëm djaloshi me potencial të madh dhe me medalje në garat e mëdha të xhudos. Është djaloshi që Kosovës i ka siguruar medaljen e artë evropiane. Është kampioni i Evropës.

Medalja e Akilit e ka konfirmuar Kosovën si forcë të xhudos evropiane e botërore. Tani më jo vetëm te vajzat por edhe te djemtë. Në kategorinë e tij të paparashikueshme, Akili vendos kandidaturë serioze për medalje botërore e për medalje në Lojërat Olimpike.

Se e ka potencialin, nuk është dyshuar asnjëherë. Por ai potencial më në fund u shfaq në tatami. I plotë madje.

“Pas 20 medaljeve elitare për vajzat tona heroina, erdhi edhe medalja e parë për meshkuj. Po përmbushem në çdo aspekt nga nxënësit e mi. Krenar”, ka shkruar Driton Kuka.

Një tjetër nxënëse e Kukës ishte fare pranë podiumit të shtunën. Laura Fazliu e mbylli ditën si e pesta në Evropë në kategorinë deri 63 kilogramë. Për xhudisten që ende po rritet, është sukses i madh. Medaljet do të vijnë edhe për Laurën.

Të premten medalje të artë fitoi Distria Krasniqi, e të bronztë Nora Gjakova. Një tjetër medalje pritet të dielën nga Loriana Kuka. Për të rikonfirmuar se tashmë Kosova e sporti i xhudos kanë një lidhje të fuqishme. Një që vendit i sjell vazhdimisht medalje.