Sport

Rrugëtimi i mahnitshëm e solli futbollistin francez te Llapi

Pasi udhëtoi në shumë klube dhe shtete të Evropës, Anthony Monin u vendos në Ballkan, saktësisht në Kosovë, ka raportuar të premten “L’Est Republican”.

Me prejardhje nga komuna Beaujeu në lindje të Francës, mesfushori ka firmosur kontratë profesionale për dy vjet, plus një vit nëse klubi i tij KF Llapi që luan në Superligën e Kosovës në futboll, arrin të kualifikohet për garat evropiane.

Monin ka kaluar në ekipet nga Franca, Besançon Foot dhe SC Clemenceau. Por jashtë vendit të tij ka fituar përvojë të veçantë me një karrierë që së paku është mahnitëse. Ai nisi rrugëtimin jashtë Francës si 18-vjeçar dhe luajti në Belgjikë (La Louviere), Spanjë (UD Canals), Portugali (Varzim), Skoci (Berwick Rangers). Luajti po ashtu në Zvicër (Vallorbe).

Si 24-vjeçar, Monin tashmë ka parë peizazhe të ndryshme futbolli. Ai arriti më 2 shkurt të këtij viti në Kosovë pas një takimi që pati në Dijon me agjentin e tij.

“Ai më tha se nëse do të merrnim një ofertë gjatë orëve të fundit të afatit kalimtar të dimrit, do të vendosnim për të. Oferta nga KF Llapi arriti në tryezën e tij në orën 12:15 për një nënshkrim të nesërmen”, thotë Anthony Monin për gazetën franceze.

Monin është i befasuar për të mirë nga cilësia e futbollit kosovar. Francezi thotë se u përshtat shpejt në Kosovë.

“Jeta në Kosovë është vërtet e lirë. Unë jam i sigurt dhe ka disa vende shumë të këndshme për t'u vizituar, veçanërisht në kryeqytet, Prishtinë”, ka thënë Monin.

Anthony Monin nuk vuan nga izolimi i lidhur me krizën shëndetësore, si në Francë.

“Këtu aktiviteti është normal pa udhëzime të veçanta. Gjithçka është e hapur, kinematë, dyqanet, hotelieria. Ka vetëm një derë të mbyllur për ndeshjet në stadiume”.

Ai filloi futbollin si fëmijë në Dampierre-sur-Salon. Luajti pastaj në Vesoul derisa në kategorinë e seniorëve ka luajtur për shumë skuadra. Monin ka synime me Llapin. Ai thotë se ekipi synon që sezonin tjetër të luajë në kupat evropiane. Llapi është në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe javën tjetër mund të sigurojë finalen.

“Unë jam shumë i lumtur që jam në Republikën e Kosovës. Më lejon të eci me hapin e konkurrencës. Qëllimi im është ta përfundoj sezonin mirë për të siguruar një vend për t'u kualifikuar në Ligën e Evropës me Llapin”, insistoi Monin.

Deri më tani, Monin ka regjistruar vetëm dy paraqitje me Llapin për shkak se ka qenë i lënduar. Ai ka luajtur në dy ndeshjet e fundit kampionale pasi është rikuperuar nga lëndimi.