Sport

Për Xhakën të rëndësishme janë fitoret e skuadrës, jo pozita ku luan

Descriptive Text

Londër, 16 prill – Për herë të dytë brenda pesë ditëve, Granit Xhaka ka mbuluar pozitën e mbrojtësit të majtë tek Arsenali. Dhe njëjtë si ndaj Sheffield Unitedit, Xhaka të enjten mbrëma dha kontributin e tij në fitoren e rëndësishme të Arsenalit.

Në kuadër të çerekfinales së Ligës së Evropës, Arsenali në Pragë fitoi 4:0 ndaj Slavias vendase. Ndeshja e parë në Londër ishte mbyllur 1:1. Arsenali në gjysmëfinale do të takohet me Villarrealin. Ndeshjet luhen më 29 prill e 6 maj.

Kapiteni i Zvicrës, Xhaka, zakonisht mbulon pozitën e mesfushorit qendror. Mesfushor kishte luajtur edhe në ndeshjen e parë ndaj Slavia Pragës. Por në dy ndeshjet e fundit të klubit të madh anglez është zhvendosur në krahun e majtë të mbrojtjes.

Slavia ishte në një seri të jashtëzakonshme para përballjes me Arsenalin. Nuk kishte humbur në shtëpi për dy vjet dhe kishte seri të rezultateve pozitive për mbi 30 ndeshje.

“Nëse e fitojmë Ligën e Evropës kështu, nuk më intereson se në cilën pozitë luaj”, ka thënë Xhaka për sajtin zyrtar të Arsenalit.

“Nëse më duhet ta ndihmoj ekipin atje, unë duhet ta ndihmoj. Jam lojtar që do të bëj çdo gjë për ekipin. Natyrisht, të gjithë e dinë se nuk është pozita ime e zakonshme, por bashkëlojtarët po më ndihmojnë para e prapa. Edhe trajneri po më ndihmon. Jam shumë i lumtur që kam ndihmuar ekipin edhe në këtë pozitë. Mundohem të jap më të mirën dhe në dy ndeshjet e fundit paraqitja ishte e mirë”, ka shtuar Xhaka.

28-vjeçari ka vlerësuar shumë lart paraqitjen e Arsenalit. Ka thënë se strategjia e trajnerit ishte e shkëlqyeshme.

“Kemi pasur ndeshje të madhe. Mendoj se e kemi merituar të kalojmë tutje pas dy ndeshjeve. Karakteri i ekipit ishte i shkëlqyeshëm. Të fitosh në Pragë 4:0 nuk është e lehtë. Por për 90 minuta paraqitja jonë ishte e shkëlqyeshme”, ka theksuar Xhaka.