Sport

Juventusi nxjerr në shitje Rabiotin e Ramseyn

Foto: Reuters

Mesfushorët Adrien Rabiot dhe Aaron Ramsey, përfundimisht do të largohen nga skuadra e Juventusit pas përfundimit të këtij edicioni.

Mediumet italiane kanë raportuar të mërkurën se drejtuesit e Juventusit kanë marrë vendim për t’i nxjerrë në shitje dy mesfushorët, të cilët nuk kanë bindur me paraqitjet e tyre.

Bëhet e ditur se për Rabiotin, Juventusi po kërkon rreth 30 milionë euro derisa 20 milionë euro po i kërkon për Ramseyn. Si Ramsey ashtu edhe Rabiot iu bashkuan Juventusit në verën e vitit 2019 si futbollistë të lirë dhe kanë kontrata deri në vitin 2023 me kampionin në fuqi të Italisë.

Me shitjen e Rabiotit dhe Ramseyt, Juventusi do të lironte vendin për Hakan Calhanoglun dhe Manuel Locatellin, të cilët po kërkon t’i transferoj me ngulm gjatë verës. Rabiot 26-vjeçar ka tri gola e dy asistime në 38 ndeshje këtë sezon derisa Ramsey ka realizuar dy gola dhe ka asistuar pesë herë në 28 paraqitje.