Sport

Zidane shpreson që “El Clasico” e 45-të e Messit të mos jetë e fundit për të

Lionel Messi është i vendosur ta luajë ndeshjen e tij të 45-të dhe ndoshta finale, “El Clasico”, kundër Real Madridit. Statusi prej ylli i sulmuesit të Barcelonës, kontrata e të cilit skadon këtë verë, është ndërtuar mbi tituj të shumtë dhe rekorde shënimi, si dhe në shkëlqimin e tij në një prej ndeshjeve me rivalitetin më të madh në futboll. Ka gjasë të jetë Klasikja e fundit e Messit. Këtë natyrisht nuk e dëshirojnë tifozët e futbollit nëpër botë.

Por as trajneri i Realit, Zinedine Zidane, nuk dëshiron që e shtuna të jetë shansi i fundit i Messit për të munduar ekipin e Madridit në derbin më të madh.

“El Clasico” e radhës, që i takon xhiros së 30-të në La Liga, luhet në stadiumin “Alfredo di Stefano” në Madrid, të shtunën, dhe nis në orën 21:00. Për dy ekipet kjo ndeshje është e rëndësishme pasi po luftojnë për titullin e kampionit. Barcelona është e dyta në tabelë me 65 pikë, një më pak se Atletico Madridi që është lider, derisa Real Madridi vendin e tretë me 63 pikë.

“Unë nuk dua që kjo të jetë ‘El Clasico’ e fundit për Messin. Shpresojmë që ai të qëndrojë në Barcelonë. Ai është i mirë atje dhe është gjithashtu i mirë për ligën spanjolle. Ne e dimë se sa lojtar i mirë është Messi”, tha Zidane të premten në konferencën për shtyp.

“Ne po luajmë mirë kohët e fundit dhe për ta fituar këtë ndeshje sërish duhet të japim më të mirën nga vetja”.

Messi, i cili mbush 34 vjet në qershor, ishte i frustruar në përpjekjen e tij për të lënë Barcelonën verën e kaluar. Ai tha në dhjetor se do të vendosë për të ardhmen e tij kur të përfundojë sezoni aktual. Superylli argjentinas mund të largohet falas nëse dëshiron. Joan Laporta është kthyer në pushtet si president i klubit me qëllimin për të bindur Messin për të nënshkruar një kontratë tjetër, por lojtari mbetet i heshtur.

Messi ka shënuar 26 herë në Klasike duke filluar me “hat-trickun” e parë për Barcelonën në moshën 19-vjeçare, në një barazim 3:3 në vitin 2007. Ky edhe është rekord i golave të Messit në “El Clasico”.

Për një dekadë fituesi i gjashtë “Topave të Artë” ushqeu rivalitetin e tij personal me Cristiano Ronaldon. Por qëkur Ronaldo u largua te Juventusi në vitin 2018, Messi nuk ka arritur të shënojë në gjashtë ndeshje radhazi kundër Real Madridit.

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, shpreson që Messi mund t'i japë fund kësaj shterpësie të golave në “El Clasico” dhe t’i japë një fitore skuadrës që do ta dërgonte në vendin e parë përkohësisht, pasi Atletico të dielën e viziton Real Betisin. Pas kësaj fundjave do të mbeten tetë xhiro deri në fund të këtij edicioni në La Ligan spanjolle.

“Shpresoj se Messi mund të jetë vendimtar në këtë takim, sepse kemi nevojë që ai të luajë në mënyrën më të mirë dhe që Barça të tregojë edhe versionin e saj më të mirë”, tha Koeman. “Për sulmin tonë, lojën tonë të pasimit dhe për të krijuar raste shënimi ne kemi nevojë për Leon”.

Messi është golashënuesi më i mirë në La Liga këtë edicion, me 23 gola të shënuar. Pas një fillimi të lëkundur nën udhëheqjen e Koemanit, Barcelona ka gjetur ritmin e saj dhe është e pamposhtur në 19 ndeshje rresht, përfshirë këtu një seri prej nëntë fitoresh radhazi në kampionat.

Derisa mbrojtësit Gerard Pique dhe Sergi Roberto u rikuperuan nga dëmtimet në kohë për t’u futur në listën e Koemanit për ndeshjen ndaj Realit, Messi do të përballet me një mbrojtje të Madridit që ka dy mungesa të rëndësishme. Kapiteni Sergio Ramos mungon për shkak të një lëndimi në këmbë, ndërsa Raphael Varane është izoluar pasi doli pozitiv në testin për koronavirus ditë më parë. Në vend të tyre Zidane luajti me Nacho Fernandez dhe Eder Militaon, të cilët u plotësuan mungesën e Ramosit e Varanes të martën mbrëma, kur Reali e mposhti Liverpoolin (3:1) në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

“Ramos dhe Varane janë mbrojtës të rëndësishëm, por Reali ndaj Liverpoolit tregoi se ka lojtarë tjerë që mund t’i zëvendësojnë ata”, tha Koeman. “Ne jemi të përgatitur dhe të kompletuar gjë që është shumë e rëndësishme në një ndeshje të tillë”.

Për sulmuesin Karim Benzema, i cili është shënuesi më i mirë i Realit me 18 gola në kampionat, çelësi i fitores do të jetë se cila skuadër do të dominojë në posedimin e topit dhe do të ushtrojë presionin më efektiv pa top.

“Kur të bëjmë presion ne duhet të shkojmë të gjithë. Dhe kur kemi topin, duhet të mbajmë mirë, sepse atyre nuk u pëlqen ta ndjekin topin”, u shpreh Benzema. “Ne do të dalim në fushë me synimin për të fituar, sepse për ne kjo është një finale”.