Sport

29 vjet nga fillimi i rrugëtimit të Përfaqësueses së Kosovës

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka nisur eliminatoret për botërorin “Katari 2022”. Tashmë Përfaqësuesja ka kompletuar dy cikle kualifikuese, një për Botëror e një për Evropian, e po ashtu është paraqitur në dy edicione të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Kosova nuk ka shumë vjet në skenën ndërkombëtare. Dhe gabimisht vlerësohet shpesh se Përfaqësuesja është themeluar vetëm në vitin 2014. Në fakt, në vitin 2014, FIFA dha leje që Kosova të luante ndeshje miqësore. Miqësorja e 5 marsit të vitit 2014 ndaj Haitit shpesh vlerësohet si ndeshja e parë e Kosovës. Ajo është vetëm e para miqësore me leje të FIFA-s.

Historia e Përfaqësueses së Kosovës në futboll është dukshëm më e gjatë. Përfaqësuesja ngadalë po i afrohet kompletimit të dekadës së tretë. Të hënën janë bërë 29 vjet nga ndeshja e parë zyrtare e Përfaqësueses së pavarur të futbollit të Kosovës.

Më 5 prill të vitit 1992, Kosova ishte përballur në Tetovë me ekipin shqiptar të këtij qyteti, Shkëndija. Dhe ajo ndeshje e 5 tetorit 1992, që ishte edhe festive, shënon fillimin e rrugëtimit të Përfaqësueses së Kosovës.

Image

Shkëndija aktualisht është ekipi më i fortë në Maqedoni të Veriut. Por në vitin 1992 nuk i kishte as për së afërmi forcën dhe cilësinë që i ka tani. Ishte riaktivizuar atë vit dhe luante në ligë komunale.

Është trajneri i njohur mitrovicas, Ajet Shosholi, që përmes një postimi në rrjetet sociale ka përkujtuar ndeshjen historike. Shosholli ishte selektor i Kosovës atëbotë. Ai ka dhënë kontribut të madh për futbollin kosovar dhe ndër të tjera ishte selektori i parë.

Pas pavarësimit të futbollit kosovar në vitin 1991 dhe formimit të ligës, që startoi më 13 shtator të vitit 1991, formimi i Përfaqësueses ishte veprim tjetër që konfirmonte futbollin si formë rezistence ndaj okupatorit.

“Pikërisht më 5 prill 1992 zhvilluam ndeshjen e parë si Kombëtare e Kosovës me Shkëndijën e Tetovës. Në Tetovë udhëtuam më 2 prill dhe për tri ditë u akomoduam në Bregun e Diellit, ku hasëm në mikpritje të jashtëzakonshme prej ekipit të Shkëndijës. Paraprakisht më 3 prill zhvilluan edhe një ndeshje kontrolluese me ekipin e Përparimit të Kamenjanit, ku rezultati ishte 4:1 në favor të Kosovës. Më 5 prill, kur u zhvillua ndeshja kryesore me ekipin e Shkëndijës, ishte edhe festa e Bajramit, ku në stadiumin e qytetit u mblodhën afro 10 mijë shikues, të cilët gjatë gjithë ndeshjes brohorisnin emrin e Kosovës. Rezultati nuk ishte shumë me rëndësi, por, megjithatë, edhe këtë ndeshje e fituam me rezultatin 4:0”, ka kujtuar Ajet Shosholli.

Shosholli shkruan se bëhet fjalë për një datë historike pasi “për herë të parë si gjeneratë e sakrificës luajtëm një ndeshje si Kombëtare e Republikës së Kosovës dhe jetësuam edhe praktikisht shtetin e Kosovës, si dhe kauzën e njohur se shteti është ambasadori më i mirë i një vendi”.

Image

Shosholli ka kujtuar se në Tetovë ishin gjithë anëtarët e Kryesisë së atëhershme të FFK-së, në krye me kryetarin Agim Bytyqi dhe sekretarin Sejdi Mërkoja.

Në shkurt të vitit 1993, Kosova ka luajtur ndeshjen e parë me një përfaqësuese tjetër. Bëhet fjalë për ndeshjen me Shqipërinë, të luajtur më 14 shkurt 1993 në Tiranë. Por ndeshja në Tetovë mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së Përfaqësueses së Kosovës.

“Meritojnë lëvdata të gjithë pjesëmarrësit e këtyre ndeshjeve të Kombëtares, si dhe të gjithë ata akterë që ishin pjesëmarrës në Ligën e Pavarur të Kosovës (1991 – 1998). Mendoj dhe shpresoj që është koha që edhe shteti i Kosovës të mendojë për statusin e sportistëve të Kosovës, në mënyrë që edhe sportistët ta kenë tretmanin e merituar për kontributin e tyre që kanë dhënë në sport dhe në afirmimin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Shosholli.

Historia e përfaqësueses ndahet në disa etapa. Pas luftës Kosova nisi me miqësore, por që nuk llogariteshin zyrtare. Me kalimin e kohës edhe zhvillimi i miqësoreve jozyrtare ishte vërtet sfidues. Dhe aktivitetet e grumbullimet u bënë shumë të rralla.

Të rëndësishme vlerësohen ndeshjet me Shqipërinë në vitin 2002, turneu në Qipron Veriore në vitin 2005, miqësorja me Arabinë Saudite në Turqi në vitin 2007. Miqësorja me Haitin nisi një periudhë të re për Përfaqësuesen e Kosovës, ndërsa ndaj Ishujve Faroe u luajt miqësorja e parë pas pranimit në UEFA e FIFA. Ajo miqësore u luajt në Frankfurt të Gjermanisë më 3 qershor të vitit 2016, pak kohë pas pranimit të Kosovës në dy asociacionet kryesore të futbollit.

Ndeshjen e parë zyrtare kualifikuese Kosova e luajti më 5 shtator 2016 në Turku ndaj Finlandës. Ajo ndeshje përfundoi 1:1.

Por themelet e Përfaqësueses ishin vënë që në fillim të viteve nëntëdhjetë, nga ata që vendosën për pavarësimin e futbollit kosovar. Jo të gjithë i vlerësojnë drejt për kontributin madhor.