Sport

Superliga vazhdon me një derbi të madh

Te Prishtina pranojnë se nuk guxojnë të bëjnë edhe një hap tjetër të gabuar, pas barazimit të fundit. Prishtina të martën luajti pa gola në shtëpi kundër Gjilanit, në ndeshjen e mbetur të xhiros së 26-të dhe kështu humbi paksa hapin në garë për titull.

Duelin e radhës skuadra prishtinase e zhvillon në Suharekë kundër Ballkanit. Barazimi i papritur me Gjilanin ka bërë që Prishtina të mbetet në pozitën e tretë në tabelë me 51 pikë. Ballkani është lider me 55 pikë të mbledhura, sa i ka edhe Drita në vendin e dytë , por që ka goldallim më të dobët.

Dueli ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës luhet të dielën prej orës 15:00 dhe i takon xhiros së 27-të të Superligës së Kosovës në futboll. Pa llogaritur takimin e së martës, Superliga kthehet pas pushimit prej dy javësh, për shkak të ndeshjeve të Kosovës.

Ballkani në katër ndeshjet e fundit ka regjistruar tri fitore e një barazim derisa Prishtina vjen pas një serie prej dy fitoreve, dy barazimeve dhe një humbjeje. Prishtina gjithashtu është në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, ku do të përballet me Llapin, mesjavën e ardhshme.

Sulmuesi i krahut, Leonit Abazi, ka thënë për KOHËN se Prishtina do të udhëtojë në Suharekë për të mos u mposhtur. Ai ka thënë se Prishtinës nuk i lejohet asnjë hap fals nëse dëshiron të mbetet në garë për titullin e kampionit. Abazi ka vlerësuar Ballkanin si ekip dhe ka shtuar se Prishtina është e përgatitur për derbin të kësaj xhiroje.

“Duhet të japim maksimumin edhe në këtë ndeshje sikurse në të gjitha duelet e tjera që i kemi pasur deri më tani për shkak se matematikisht ende jemi në garë për titull. Secila ndeshje është e rëndësishme, përfshirë edhe kjo me Ballkanin që nuk do të jetë aspak e lehtë pasi përballë kemi një kundërshtar të fortë”, është shprehur Abazi. “Megjithatë, shpresoj të jemi në formën e duhur dhe të mos bëjmë hap fals sepse nuk na lejohet”.

Te Ballkani, si zakonisht, edhe këtë herë kanë zgjedhur heshtjen para ndeshjes.

Të dielën në të njëjtin termin zhvillohet edhe një ndeshje tjetër e rëndësishme e kësaj xhiroje. Skuadra e Llapit e pret në stadiumin “Zahir Pajaziti” Feronikelin që po lufton për mbijetesë. Llapi është i pesti në tabelë me 33 pikë. Ka dy pikë më shumë se skuadra e Feronikelit që zë vendin e shtatë. Feronikeli në këtë përballje futet pas humbjes befasuese në udhëtim nga Besa e Pejës, ekip që tashmë është përshëndetur nga elita derisa Llapi nuk di për humbje në tri ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar dy fitore dhe një barazim.

“Presë një ndeshje shumë të vështirë, por ne jemi përgatitur gjatë këtij pushimi dhe jemi të gatshëm për vazhdimin e garave. Synimi ynë është që nga kjo ndeshje të dalim me rezultat pozitiv përballë Feronikelit dhe për këtë do të japim maksimumin”, paralajmëroi trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Xhiroja e 27-të do të hapet të shtunën me dy ndeshje që gjithashtu do të nisin prej orës 15:00. Në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, Drenica do të përballet me Trepçën ’89. Në krye të Drenicës në këtë ndeshje do të debutojë trajneri Sami Sermaxhaj, i cili zëvendësoi në këtë post Bledar Devollin e larguar. Drenica nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar katër barazime dhe një humbje. Zë vendin e parafundit në tabelë me 27 pikë të mbledhura, pesë më pak se Trepça ’89 që renditet e gjashta. Sermaxhaj është optimist për fitoren e Drenicës.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë për ne. Gjatë kësaj periudhe, kemi punuar dhe e kemi përgatitur skuadrën që të paraqitet sa më mirë. Drenica do të futet në këtë ndeshje për të marrë pikët e plota. Përballë do ta kemi një kundërshtar të vështirë, një skuadër të organizuar mirë por për ne e rëndësishme është vetëm fitorja. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Te Drenica kam hasur në një mikpritje si nga drejtuesit e klubit e po ashtu edhe nga lojtarët. Për ne çdo pikë do të jetë shumë e rëndësishme deri në fund të kampionatit dhe do të japim maksimumin që t'i arrijmë objektivat e klubit”, është shprehur Sermaxhaj.

Ndërkohë, Arbëria e pret skuadrën kampione të Dritës. Arbëria po lufton për mbijetesë dhe nuk di për fitore në gjashtë ndeshjet e fundit. Renditet në pozitën e tetë më 28 pikë derisa skuadra e Dritës po lufton për ta mbrojtur titullin e kampionit. Xhiroja do të mbyllet të hënën me ndeshjen ndërmjet Gjilanit dhe Besës së Pejës.

“Kemi disa mungesa të rëndësishme, por kjo nuk do të thotë se ndaj Dritës nuk do të kërkojmë një rezultat pozitiv. Gjithashtu, pres edhe një lojë të mirë të ekipit tim”, tha trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina.