Sport

Sociedadi e kërkon trofeun e Kupës së Mbretit

Real Sociedadi ka stërvitur para finales “baske” në Kupën e Mbretit.

Të shtunën në orën 21:30, Real Sociedadi do të ballafaqohet me Athletic Bilbaon.

Kjo do të jetë finalja e edicionit të kaluar të Kupës së Mbretit në Spanjë, që është shtyrë për 12-t muaj për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

Skuadra “bardheblu”, pjesë e së cilës është edhe Adnan Januzaj, e fitoi Kupën e fundit në vitin 1987. Në atë vit, Sociedadi e mposhti Atletico Madridin pas penalltive dhe e fitoi Kupën e Mbretit.

Athletic Bilbao nga ana tjetër e mposhti Barcelonën në prillin e vitit të kaluar në Superkupën e Spanjës, por Kupën e Mbretit nuk e ka fituar që prej vitit 1984.

Sidoqoftë, Bilbao e ka fituar këtë trofe 23 herë në total.

Në dy duelet e ndërsjella, më i mirë është Real Sociedadi që e ka mposhtur dy herë rresht skuadrën e Athletic Bilbaos.