Sport

Ndryshimi i Rregullores së FIFA-s që mund të jetë goditje e rëndë për Përfaqësuesen e Kosovës

FIFA nuk i lejon lojtarët që kanë mbushur 21 vjet e që kanë luajtur ndeshje zyrtare për një vend tjetër (për A apo U21) që ta ndryshojnë federatën. Kjo pamundëson që Mërgim Berisha, Toni Domgjoni, Bastien Toma e Andi Zeqiri të kalojnë te Kosova. FFK-ja synon, por këta lojtarë asnjëherë nuk kanë deklaruar se do të luajnë për Kosovën. Por edhe vullneti i tyre tani nuk mjafton. Rasti i Nedim Bajramit ka sqaruar shumë gjëra lidhur me lojtarët e rinj të rritur në përfaqësuese të tjera. Ndryshimi, për të cilin në FFK e FSHF janë fare pak të informuar, ka ndodhur jo shumë kohë më parë

Kur i gjithë fokusi ishte te ndeshja e Spanjës me Kosovën, por edhe te ndeshjet e tjera të përfaqësueseve evropiane, gazeta e madhe zvicerane “Blick” publikoi lajmin e papritur: Nedim Bajramit nuk i lejohet të luajë për Shqipërinë. Është Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), që sipas gazetes “Blick” ka refuzuar kërkesën që Bajrami të kalojë nga Zvicra te Shqipëria.

Ndryshimi i përfaqësueses nga ana e Nedim Bajramit ishte vlerësuar punë e kryer. Ai kishte thënë se Shqipëria është zgjedhje e zemrës. Por të mërkurën u bë i ditur lajmi shokues.

Vendimi për Bajramin nuk prek vetëm karrierën e futbollistit cilësor të Empolit. Ka ndikim shumë më të gjerë. Ndër të tjera, mund të ketë ndikim të madh edhe te Përfaqësuesja e Kosovës, përkatësisht te synimet e Federatës së Futbollit të Kosovës për ta përforcuar ekipin me lojtarë cilësorë me të kaluar te Shpresat e Zvicrës e të Gjermanisë.

Sipas “Blickit”, Bajrami, ndonëse ende 22-vjeçar, rrezikon të përballet me shkatërrim të karrierës ndërkombëtare, përkatësisht karrierës me përfaqësuese. Por nuk përjashtohet mundësia që ai të luajë për Zvicrën në të ardhmen, në Përfaqësuesen A.

Bajramit i ka kushtuar fakti që ka veshur fanellën e Zvicrës në ndeshje zyrtare pasi ka mbushur 21 vjet. Ai ka luajtur për U21 të Zvicrës, por kjo nuk e ndryshon më situatën. Në të kaluarën, kur një lojtar luante ndeshje zyrtare me Përfaqësuesen A të një vendi, e humbte të drejtën e ndryshimit të përfaqësueses. Por rregulloret e FIFA-s kanë ndryshuar ndërkohë dhe me gjasë për këtë nuk kanë qenë të njoftuar njerëzit e afërt të Bajramit dhe përgjegjësit në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Mesfushori ofenziv, Bajrami, që me prejardhje është nga Tetova, ka luajtur katër ndeshje zyrtare për U21 të Zvicrës pasi ka mbushur 21 vjet. Dhe kjo ia pamundëson kalimin te Shqipëria. Të paktën kështu ka raportuar “Blick”.

Ndryshimi i Rregullores që u ka kushtuar Bajramit e Shqipërisë, dhe që mund t’i kushtojë edhe Kosovës, ka ndodhur jo shumë kohë më parë.

Në sajtin zyrtar të FIFA-s është evidentuar një qarkore e dërguar te federatat nacionale më 28 janar të këtij viti. Federatat nacionale, pra edhe FFK-ja dhe FSHF-ja, janë njoftuar me ”komentarin e rregullave lidhur me të drejtën e lojtarëve për të luajtur për përfaqësuese”.

Në këtë qarkore njoftohet se plotësimi i rregulloreve është bërë në Kongresin e 70-të të FIFA-s të mbajtur më 18 shtator të vitit të kaluar. Komentari ofron informata të shumta për situatat kur lojtarët synojnë të ndryshojnë përfaqësueset. Dhe ndër të tjera edhe për rastet si ai i Bajramit.

Për rastin e Bajramit, FIFA është thirrur në pikën B të artikullit 9 të komentarit: Ndryshimi i Federatës.

Artikulli 9 saktëson se lojtari mund të kërkojë vetëm një herë ta ndryshojë federatën për të cilën është në dispozicion që të luajë për federatën e një vendi tjetër, nacionalitetin e të cilit e ka. Por duhet të plotësohen kushte të tjera që leja të jepet. Ndër të tjera, në pikën B shkruan se leja mund të jepet nëse “lojtari në momentin që ka luajtur ndeshjen e fundit zyrtare në çfarëdo niveli, për federatën aktuale, nuk i ka mbushur 21 vjet”.

Dhe kjo pikë e bën të pamundur që lojtarët që i ka synuar dhe i synon Kosova ta ndryshojnë përfaqësuesen. Në këtë listë janë Mërgim Berisha, Toni Domgjoni, Bastien Toma e Andi Zeqiri. Të gjithë këta në ditët e fundit kanë luajtur në Evropianin e Shpresave (U21). Dhe të gjithë i kanë mbushur 21 vjet.

Berisha 22-vjeçar, me Gjermaninë U21 ka siguruar avancimin në çerekfinale. Ai ka luajtur në tri ndeshjet e Gjermanisë në fazën grupore të Evropianit. Në të vërtetë, Berisha vlerësohet lart në Gjermani dhe në Austri, ku luan për RB Salzburgun. Ai asnjëherë nuk ka thënë se është i interesuar të luajë për Kosovën, por FFK-ja ka shprehur synime që ta afrojë atë.

“Momentalisht jam te Gjermania dhe nuk do të komentoja më shumë”, ka thënë Berisha javë më parë në një intervistë për KOHËN. Ai ka pranuar se tema e përfaqësueses është e ndjeshme dhe secila deklaratë e tij mund të interpretohet në mënyra të ndryshme.

Toni Domgjoni ka qenë prej më të mirëve te Zvicra U21, që megjithatë nuk ia doli të avanconte përtej fazës grupore. 22-vjeçari është i lindur në Kroaci, por është nga Kosova. Ai luan për Zuerichun dhe paraqitjet e tij në Evropian janë vlerësuar shumë të mira. Ai mbulon pozitën e mesfushorit defanziv, që te Kosova nuk mbulohet mirë. Do të ishte kandidat serioz për vend titullari, sikur të vendoste për Kosovën dhe sikur FIFA t’ia lejonte ndryshimin e përfaqësueses.

21 vjet i ka mbushur edhe Andi Zeqiri, sulmuesi i Zvicrës U21 dhe Brightonit në Premier League. Zeqirin e ka pritur gjatë FFK-ja, por afrimi i tij te Kosova tashmë duket i pamundur.

Bastien Toma është tjetër lojtar i Shpresave të Zvicrës që ka mbushur 21 vjet dhe që tashmë e ka humbur rastin e ndryshimit të përfaqësueses, nëse vlen kriteri i njëjtë si për Nedim Bajramin. Ai luan te Genku në Belgjikë.

Prej gjeneratës aktuale të Zvicrës U21 vetëm Kastriot Imeri nuk i ka mbushur 21 vjet. Ai ka kohë deri më 27 qershor të vendosë për ndryshim eventual të përfaqësueses.

Por të gjithë këta janë pretendues për një vend te Zvicra A. Të gjithë vlerësohen me potencial të madh.

Plotësimi i Rregullores së FIFA-s u shkon në favor vendeve si Zvicra, që i zhvillojnë lojtarët dhe u ofrojnë atyre hapësirë në përfaqësueset e reja. Ndërkohë penalizon Kosovën e Shqipërinë, që jo rrallë kanë marrë lojtarë të rritur në vende evropiane.

FIFA vazhdimisht bën plotësime të rregulloreve lidhur me kalimin e lojtarëve nga një përfaqësuese te përfaqësuesja tjetër. Rasti i Kosovës ka ndikuar në disa ndryshime, ndër të tjera. Për shembull, lojtarët që kanë luajtur ndeshje zyrtare me përfaqësuese të tjera pas pranimit të FFK-së në FIFA e UEFA e kanë pasur të pamundur që ta ndryshojnë përfaqësuesen për të kaluar te Kosova.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës nuk duken shumë të informuar lidhur me ndryshimet në rregulloret e FIFA-s.

“Qysh nesër do të kontaktojmë me UEFA-n dhe FIFA-n. Kjo nuk është përmendur deri më tani. Do të shohim, përgjegjësit do të merren me këtë. Nesër do të dërgojmë email për sqarimin e kësaj situate”, ka thënë Muharrem Sahiti, drejtor i Përfaqësueses së Kosovës.

Letrat e FFK-së në adresë të FIFA-s megjithatë mund të jenë të vonshme, ashtu si vendimi i Nedim Bajramit për të kaluar nga Zvicra te Shqipëria. Ai sakrifikoi për Shqipërinë duke hequr dorë nga paraqitja në Evropian me Zvicrën. Por, të paktën për momentin, sakrifica nuk iu shpërblye.