Sport

“Dardanët” gati për përballje me “përfaqësuesen më të mirë në botë”

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, e ka vlerësuar lart Spanjën, kundërshtaren e ardhshme të “Dardanëve” në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Në konferencën për shtyp të mbajtur të martën, ai ka thënë se çmon shumë forcën e spanjollëve. Challandesi e ka cilësuar si përfaqësuesen më të mirë në botë dhe ka pranuar se për Kosovën është nder që do të përballet me një kundërshtare si Spanja. Dueli mes Spanjës dhe Kosovës i takon Grupit B eliminator për Botërorin e vitit tjetër, dhe do të zhvillohet të mërkurën mbrëma në qytetin e Sevillas prej orës 20:45. Kosova është e fundit në grup pa pikë në një ndeshje të zhvilluar, derisa Spanja ka tubuar katër pikë prej dy përballjeve të luajtura deri më tani.

“Pas humbjes nga Suedia nuk është e lehtë të vijmë këtu në Spanjë dhe të përgatitemi për këtë ndeshje të vështirë. Por, është nder dhe kënaqësi të luajmë kundër ekipit më të mirë në botë. Jemi munduar të përgatitemi sa më mirë dhe besoj se jemi të gatshëm për këtë përballje”, ka insistuar Challandes.

Kosova të dielën i nisi kualifikimet me humbje të thellë. Pësoi në Prishtinë me rezultatin 3:0 nga Suedia, e cila i prin grupit me gjashtë pikë të tubuara pas dy ndeshjeve të zhvilluara deri më tani. Ndërkohë, Spanja që kualifikimet i nisi me barazim kundër Greqisë, kundër Kosovës do të futet pas fitores së mundimshme ndaj Gjeorgjisë (2:1), të cilën e siguroi në minutat shtesë.

Përkundër humbjes nga Suedia, përzgjedhësi Challandes ka thënë se ndeshja kundër Spanjës gjithashtu është një mundësi e mirë për të parë punën që është bërë deri më tani te Kosova. Në fakt, Challandesi ka thënë se është në krye të një ekipi të mirë, i cili përbëhet prej lojtarëve të motivuar për ta dhënë më të mirën në çdo ndeshje.

“Unë menaxhoj një ekip të mirë, ekip me lojtarë shumë të motivuar. Jemi shtet i ri i futbollit dhe duhet të përparojmë, duhet të marrim çdo ndeshje një nga një. Në veçanti ndeshja kundër Spanjës është mundësi e mirë për ta treguar progresin e ekipit që është bërë në mënyrë konstante gjatë kësaj periudhe”, ka thënë Challandesi.

Kur është pyetur për vendimet dhe ndryshimet e shpeshta që po i bën përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique, Challandesi nuk ka dashur të komentojë. Ai ka thënë se gjëja e vetme që e ka në mendje është se si Kosova duhet t’i qaset një ekipi të fortë si Spanja. Challandesi, po ashtu, ka refuzuar të komentojë edhe për çështjet politike, ndonëse ka pranuar se nuk është i kënaqur me qasjen që e kanë pasur disa mediume spanjolle në raport me Kosovën.

Për dallim prej kundërshtarëve të tjerë, Challandesi ka thënë se ndaj Spanjës duhet të ketë një qasje tjetër në stilin e tij të lojës. Në fakt, ai ka paralajmëruar ndeshje më të mbyllur të Kosovës ndaj Spanjës. Challandesi ka insistuar se futbollistët e tij do të jenë maksimalisht të motivuar kur të dalin në fushë të përballen me Spanjën.

“Nuk flas për çështjet politike, puna ime është trajner i futbollit dhe duhet të gjejë zgjidhje për ndeshjen me Spanjën, dhe të përgatis ekipin tim në mënyrën më të mirë të mundshme. Mua më pëlqen të luaj futboll sulmues, Kosovës i pëlqen ta mbajë topin, por ndaj Spanjës kjo nuk do të jetë aspak e lehtë. E di që ndoshta njerëzit nuk mund të jenë të kënaqur me rezultatet e fundit të Spanjës, por nëse shikoni ndeshjet mund ta kuptoni sa mirë ka luajtur Spanja”, është shprehur Challandesi. “Duhet të gjejmë zgjidhje për ta ndalur Spanjën. Loja ofensive është dëshira jonë, por duhet edhe të mbrohemi në disa situata dhe ta ruajmë portën tonë. Njëkohësisht të kërkojmë mënyrën për të shënuar gola. Përfundimisht nuk mund të jemi të kënaqur me disa mediume spanjolle dhe kjo ndoshta na jep më shumë motiv për këtë ndeshje. Por, motivimi më i madh i lojtarëve është që do të luajnë kundër lojtarëve shumë të popullarizuar, një ekipi shumë të madh. Është sfiduese të luajmë me ekipin më të mirë në botë në shtetin e tij dhe përfundimisht nuk do të jetë aspak e lehtë”.

Challandesi nuk e di nëse mesfushori Valon Berisha do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Spanjës. Berisha mungoi në ndeshjen ndaj Suedisë pasi u lëndua në stërvitje. E për shkak të lëndimit, Kosovës në këtë ndeshje do t’i mungojë edhe Amir Rrahmani që tashmë është kthyer tek ekipi i tij, Napoli. Bernard Berisha është i suspenduar për shkak të kartonit të kuq që e mori ndaj Suedisë, derisa Ibrahim Dresheviq, që mungoi në duelin kundër suedezëve shkaku i kartonëve, do të jetë i gatshëm për lojë kundër Spanjës.

Kosova të martën mbrëma ka zhvilluar stërvitjen e vetme në Spanjë. Valon Berisha ishte në fushë, por është stërvitur i diferencuar prej pjesës tjetër të ekipit.

“Përgjigjen për Valon Berishën mund ta kemi në ditën e ndeshjes pasi duhet të shohim gjendjen e tij pas stërvitjes”, ka thënë Challandes.

Përkrah Challandesit në konferencën për shtyp para ndeshjes me Spanjën u paraqit mesfushori Hekuran Kryeziu. Kryeziu ka pranuar se nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë për Kosovën por ka insistuar se të gjithë futbollistët që do të paraqiten në këtë ndeshje, do të mundohen të japin më të mirë kundër Spanjës, të cilën sikurse Challandesi e ka vlerësuar lart. Madje, Kryeziu pret që Kosova të paraqitet shumë më mirë sesa kundër Suedisë.

“Ka qenë një ndeshje e vështirë me Suedinë, ne e kemi analizuar atë ndeshje dhe jemi të gatshëm për Spanjën. Është kënaqësi të luajmë kundër Spanjës që është prej ekipeve më të mira në botë. Mendoj se jemi të gatshëm dhe fokusuar të përballemi me ekipin më të mirë në botë. Do të mundohemi të japim më të mirën nga kjo ndeshje”, është shprehur Kryeziu.

Në Grupin B bashkë me Kosovën dhe Spanjën janë edhe Suedia, Greqia dhe Gjeorgjia. Suedia pas dy ndeshjeve është lider me gjashtë pikë, ndërsa Spanja me katër pikë e dyta. Greqia ka një pikë, kurse pa pikë janë Kosova dhe Gjeorgjia. Të mërkurën mbrëma do të luhet edhe ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo ndërmjet Greqisë dhe Gjeorgjisë.

Për Kosovën, ky është cikli i dytë eliminator për Kampionatin Botëror, ndërsa i treti në ngjarjet e mëdha prejse është pranuar në FIFA. Në ciklin e parë eliminator, atë për Botërorin “Rusia 2018”, Kosova përfundoi e fundit në grup, me vetëm një pikë të tubuar. Krahas duelit me Suedinë, Kosova javën e shkuar e ka luajtur edhe një ndeshje tjetër, miqësoren ndaj Lituanisë, të cilën e fitoi në Prishtinë me rezultatin bindës, 4:0.