Sport

Albin Tahiri, i 25-ti nga 70 garues në Tarvisio të Italisë

Albin Tahiri i ka përfunduar të dyja lëshimet në Tarvisio të Italisë të shtunën gjatë ditës.

Megjithatë, skitari më i mirë i Kosovës, nuk mbeti i kënaqur me rezultatin e arritur.

Me rezultatin e të dyja lëshimeve në disiplinën Super-G, Tahiri zuri vendin e 25-të nga 70 garues sa e kompletuan garën në Itali.

Ai arriti në finish me kohën 1 minutë, 12 sekonda e 39 të qindtat nga të dyja lëshimet.

“I pata dy gara në Super-G në Tarvisio të Italisë. Në garën e parë bëra 77.86 pikë të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë dhe përfundova në vendin e 20-të. Ky është rezultat nën kriterin e kërkuar për Olimpiadë. Në garën e dytë bëra një gabim dhe përfundova në vendin e 25-të me 87.32 pikë të FIS-it. Kjo do të thotë se e kam një nga dy rezultate të nevojshme për Super-G”, ka thënë Tahiri për KOHËN të shtunën.

Tahiri së fundmi e fitoi normën olimpike për disiplinën e sllallomit në skijimin alpin.