Sport

Ndeshje vendimtare për Prishtinën e Vëllaznimin

Vëllaznimi dhe Sigal Prishtina këtë vikend, në kuadër të xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në basketboll, do t’i kenë ndeshjet vendimtare që mund të përcaktojnë fatin e tyre.

Dy skuadrat që renditen në fund të tabelës – Vëllaznimi i fundit me 33 pikë dhe Prishtina e parafundit me 34 pikë – do të përballen me ekipet që mbajnë dy pozitat e para në klasifikim.

Përderisa Vëllaznimi e pret Golden Eagle Yllin, Sigal Prishtina do të ketë punë në shtëpi me Ponte Prizrenin. Skuadra e Ponte Prizrenit prin në tabelë me 42 pikë, një më shumë se Ylli që renditet i dyti, derisa Prishtina ka 34 pikë duke e lënë pas vetes Vëllaznimin me 33 pikë të mbledhura, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të pjesës së rregullt të edicionit.

Vëllaznimi, që këtë edicion është kthyer në elitë pas tri vjetësh, po synon të mbetet pjesë e Superligës edhe për sezonin tjetër. Ndërsa Prishtina po synon të largohet nga pozita që dërgon në plejaut, në mënyrë që të mos mbetet jashtë garave të plejofit për herë të parë. Madje Prishtina, skuadra më e suksesshme në vend, rrezikon edhe largimin nga Superliga.

Edhe këtë edicion gjashtë skuadrat e para do të avancojnë në plejof dhe aktualisht pozitën e gjashtë e mban Trepça me 35 pikë. Dy ekipet e para do të kualifikohen direkt në gjysmëfinale të plejofit, derisa skuadrat prej vendit të tretë deri në të gjashtin do të luajnë në çerekfinale.

Është hera e parë që vetëm një ekip i “katërshes së madhe” të basketbollit kosovar - që përbëhet nga Prishtina, Peja, Bashkimi e Trepça - është në katër pozitat e para në tabelë. Peja aktualisht zë vendin e katërt, pas Ponte Prizrenit, Yllit e Rahovecit.

Trajneri i Vëllaznimit, Branimir Paviq, ka pranuar se ekipi i tij e ka një mision të vështirë – mbijetesën. Por ka insistuar se nuk e ka ndërmend të dorëzohet deri në fund. Kroati Paviq ka thënë se ka kohë që për Vëllaznimin të gjitha ndeshjet janë sikur finale, derisa ndeshjet në tri xhirot e fundit i ka quajtur superfinale. Paviq ka insistuar se Vëllaznimi do të synojë të triumfojë në Gjakovë kundër Yllit, ekip te i cili në postin e trajnerit do të debutojë Adis Beqiragiq. Ky i fundit te Ylli e zëvendësoi turkun Fatih Gezer, derisa edicionin e shkuar e fitoi Kupën e Kosovës me Pejën, duke e mposhtur në finale pikërisht Yllin. Dueli ndërmjet Vëllaznimit dhe Yllit zhvillohet të shtunën prej orës 17:00.

“Për ne ka kohë që secila ndeshje është e rëndësishme dhe për secilën përgatitemi që ta fitojmë. Jemi në fund të pjesës së rregullt, ku kanë mbetur vetëm edhe tri xhiro dhe nuk kemi shumë kohë. Kështu që tri ndeshjet e fundit, duke startuar kundër Yllit, mbeten më se të rëndësishme për ne, duke pasur parasysh pozitën që e kemi në tabelë”, është shprehur Paviq të premten për KOHËN. “Yllin e respektojmë sepse është ekip që po lufton për titullin e kampionit këtë edicion, por ne jemi përgatitur për të fituar dhe shpresoj t’ia dalim. Nuk do të dorëzohemi deri në fund”.

Vëllaznimi futet në këtë ndeshje pas fitores në udhëtim ndaj Trepçës, kurse në gjashtë ndeshjet e fundit ka regjistruar katër fitore karshi dy humbjeve. Në anën tjetër Ylli ka tri fitore e po aq humbje në gjashtë duelet e fundit.

Ndërkohë, skuadra e Ponte Prizrenit, që pësoi në ndeshjen e fundit në shtëpi nga Rahoveci, ka paralajmëruar se do të udhëtojë në Prishtinë për fitore, në mënyrë që ta forcojë pozitën e parë në tabelë. Ponte synon ta mbajë lidershipin deri në fund të pjesës së rregullt për ta pasur përparësinë e terrenit në garat e plejofit.

Trajneri i ekipit prizrenas, Arbnor Rifati, ka treguar se Prishtina është skuadra e vetme që këtë edicion ka bilanc pozitiv ndaj Ponte Prizrenit në duelet e ndërsjella. Në tri ndeshje të luajtura deri më tani Prishtina ka dy fitore dhe një humbje. Të dy fitoret Prishtina i ka regjistruar në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Ndeshja ndërmjet këtyre dy skuadrave do të zhvillohet të dielën nga ora 19:00. Me këtë ndeshje edhe do të mbyllet xhiroja e 26-të e Superligës.

Sigal Prishtina këtë edicion nuk ka treguar rezultate të mira në kampionat, ndonëse e ka fituar Superkupën dhe Kupën. Në 25 duele të luajtura deri më tani, Prishtina ka nëntë fitore karshi 16 disfatave.

“Pres fitore pasi për këtë jemi përgatitur gjatë tërë javës. Synimi është që ndeshjes t’i qasemi me seriozitetin më të madh prej fillimit dhe ta fitojmë. Prishtina është ekipi i vetëm me të cilin kemi bilanc negativ në ndeshjet direkte, kështu që këtë herë jam shumë i bindur se rezultati i favorshëm do të jetë në anën tonë. Me triumf në këtë takim, ne do ta ruajmë pozitën e parë deri në fund të pjesës së rregullt, që edhe është synimi ynë që nga fillimi i sezonit”, ka thënë Rifati.

Dy orë para ndeshjes në Prishtinë, në palestrën “Karagaçi” në Pejë, skuadra pejane do të përballet me Trepçën, që do të jetë pa lojtarin kryesor, plejmejkerin Ivan Koljeviq, të cilin e largoi në fillim të kësaj jave për shkak të sjelljeve jo të mira. Ndërkohë të shtunën prej orës 19:00, skuadra e Rahovecit e pret Bashkimin.