Sport

Federata më e suksesshme mbetet jashtë Bordit të KOK-ut

Descriptive Text

Federata bindshëm më e suksesshme sportive në Kosovë, ajo e xhudos, nuk ka përfaqësues në Bordin e ri Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës. Xhudistët kanë fituar krejt çka mund të fitohet në skenën ndërkombëtare, duke përfshirë medaljen e artë olimpike të Majlinda Kelmendit.

Por drejtuesit e FXHK-së nuk kanë marrë besimin e delegatëve në Asamblenë e KOK-ut, të mbajtur të enjten. President i ri i KOK-ut është zgjedhur Ismet Krasniqi. Për nënkryetar janë zgjedhur Gazmend Maxhuni, Milaim Kelmendi, Mimoza Shkodra Bislimi e Eugen Saraçini.

Ndërkohë në Bordin Ekzekutiv janë zgjedhur Shqipe Bajçinca Brestovci, Avni Nuha, Bujar Turjaka, Vjollca Krasniqi, Agron Mala e Besire Domaniku. Ndërkohë me propozim të kryetarit Krasniqi, në Bord janë përfshirë edhe Musa Selimi, Jeton Beqiri e Halil Sylejmani.

Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka nuk mori votat për anëtar të Bordit Ekzekutiv, ndërsa nënkryetari i FXHK-së, Memli Krasniqi nuk mori votat për nënpresident të KOK-ut.

Majlinda Kelmendi hoqi dorë nga gara për të përfaqësuar sportistët në Bordin Ekzekutiv. Sportistët i përfaqëson atleti Musa Hajdari. Majlinda theksoi se ka shumë obligime për të siguruar suksese tjera për Kosovën. Sukseset e saj bëjnë krenarë gjithë kosovarët.

Për Majlindën respekt ka shprehur Ismet Krasniqi, udhëheqësi i ri i KOK-ut.

Në të vërtetë më herët ishte ditur se me fitoren e Krasniqit dhe kampit të tij do të kishte tendencë për të mbajtur xhudon jashtë organeve udhëheqëse. Dhe kjo ndodhi, ndonëse pas sukseseve të xhudistëve të gjithë i urojnë ata.

Xhudistët vazhdojnë të jenë bindshëm më të suksesshmit në vend në mesin e sportistëve. Nxënësit e Driton Kukës janë kandidatë për shumë medalje në Lojërat e ardhshme Olimpike.

KOK-u është rritur jashtëzakonisht shumë falë sukseseve të xhudisteve, përkatësisht medaljes së artë olimpike të Majlinda Kelmendit.