Sport

Kosova i kthehet “misionit Suedia”

Pa prezencën e lojtarëve të përbërjes së parë që luajtën kundër Lituanisë, përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, me stafin e tij, kanë drejtuar seancën stërvitore, të enjten në mesditë, në Qendrën Nacionale të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali.

Të pranishëm në stërvitje ishin vetëm 11 lojtarë, të cilët zhvilluan ushtrime kryesisht fizike.

Shumica e lojtarëve të pranishëm në stërvitjen e së enjtes nuk kanë luajtur ndaj Lituanisë, kurse disa u paraqitën në pjesën e dytë. Atmosfera dukej pozitive te lojtarët, por edhe te përzgjedhësi Challandes dhe pjesa tjetër e ekipit të tij.

Në stërvitje ishin të pranishëm sulmuesit: Lirim Kastrati, Edon Zhegrova, Atdhe Nuhiu, Elbasan Rashani, Benjamin Kololli, Bernard Berisha, Florent Hasani, mbrojtësit Lirim Kastrati e Betim Fazliji, si dhe dy portierët Visar Bekaj e Betim Halimi.

Sulmuesi Kastrati, Benjamin Kololli dhe Bernard Berisha ishin të vetmit që luajtën në pjesën e dytë ndaj Lituanisë dhe u panë në stërvitje. Kurse lojtarët kryesorë që u paraqitën kundër Lituanisë dhe disa të tjerë qëndruan në hotel për rigjenerim.

Stërvitja e së enjtes ishte e hapur për media vetëm 30 minuta. Atë nga afër e përcollën një numër i vogël i tifozëve, të cilët nuk u lanë të qëndrojnë më gjatë se koha e paraparë. Ata kishin ardhur për të parë yjet e Kosovës, por që shumicën prej tyre nuk i panë fare.

Stërvitjen e radhës Kosova do ta zhvillojë e kompletuar, të premten, për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen e rëndësishme ndaj Suedisë.

Kosova do të luajë me Suedinë të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror "Katari 2022". Për duelin ndaj suedezëve Challandesi do të ketë tri mungesa. Amir Rrahmani nuk do të luajë për shkak të lëndimit. Rrahmani ishte grumbulluar me ekipin përfaqësues, por të mërkurën Federata e Futbollit e Kosovës bëri të ditur se lojtari është larguar nga kampi për arsye se nuk ka arritur të rikuperohet. Rrahmani kishte munguar edhe në dy ndeshjet e fundit për Napolin. Një mungesë tjetër do të jetë mbrojtësi Ibrahim Dresheviq. Futbollisti që mund të luajë edhe në mesfushë, është i suspenduar pasi ishte ndëshkuar me karton të kuq kundër Moldavisë, në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve. Kurse portieri Arjanet Muriq është përjashtuar nga kampi për shkak të disiplinës. Përveç duelit me Suedinë kosovarët do të luajnë edhe kundër Spanjës. Me 31 mars, “Dardanët” do të luajnë si mysafirë të spanjollëve në Sevilla. Spanja kishte provokuar Kosovën, duke e quajtur si territor. Kurse nga postimi i parë në fillim të këtij muaji, Federata e Futbollit e Spanjës nuk ka shkruar më asnjë fjalë në lidhje me ndeshjen ndaj përfaqësueses së Kosovës. Për Kosovën kjo do të jetë hera e dytë që do të marrë pjesë në kualifikime për Kampionat Botëror. Në kualifikimet e para, ato për Botërorin e vitit 2018, “Dardanët” kishin përfunduar në pozitën e fundit me vetëm një barazim ndaj Finlandës. Të gjitha ndeshjet si vendas i kishin luajtur në Shkodër.

Të enjten nuk ka pasur deklarime publike nga lojtarët e përfaqësueses apo nga trajnerët.