Sport

Klubet e Ligës së Parë dy hapa larg historisë

Valon Duraku e Fazli Bytyçi ia zgjatën dorën njëri-tjetrit pasi mësuan se skuadrat e tyre do të jenë kundërshtare në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Nuk kursyen edhe urime, por para mediave, Duraku i Dukagjinit dhe Bytyçi i Istogut thanë se do të jenë në finale të Kupës.

Në fakt, vetëm njëra prej dy skuadrave të Ligës së Parë të Kosovës do të jetë në finale. Fituesi i përballjes Istogu – Dukagjini në finale do të takohet me fituesin e çiftit tjetër gjysmëfinalsit, Prishtina – Llapi.

Shorti i gjysmëfinales është tërhequr të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në ndeshjen e parë gjysmëfinale, Istogu e pret Dukagjinin, ndërsa Prishtina do të jetë nikoqire e Llapit. Në këtë raund fituesi do të përcaktohet pas dy ndeshjeve. Ndeshjet e para do të zhvillohen më 7 prill, kurse ato të kthimit më 21 prill.

Kupa është rruga e shkurtër drejt daljes në Evropë. Fituesi i Kupës do të luajë në nivelin e tretë evropian. Pra, i bie që Istogu e Dukagjini të jenë dy hapa lag Evropës. Një prej tyre do të jetë vetëm një hap larg.

Përfaqësuesi i Dukagjinit, Valon Duraku, thotë se kanë skuadër më të mirë se Istogu. Madje thekson se Dukagjini do të jetë befasia e Kupës.

“Ekipin e Istogut e njohim dhe i dimë kualitetet e tij. Do të jetë një gjysmëfinale e mirë dhe për herë të parë në finale të Kupës do të jetë edhe një ekip nga Liga e Parë, që mendoj se do të jetë befasia më e mirë e kësaj gare. Ose ne ose Istogu do të jemi finalist, mendoj se ne kemi ekip më të mirë dhe do të jemi befasia e Kupës”.

Dukagjini – Istogu është edhe derbi, meqë të dy skuadrat synojnë ngritjen në elitën e futbollit kosovar. Dukagjini ka qenë më herët në finale të Kupës, ndërsa këtë edicion synon ta fitojë trofeun e dytë më të çmuar në Kosovë.

Shpresa për të kaluar në finale për herë të parë në histori të klubit kanë edhe zyrtarët e Istogut.

Përfaqësuesi i Istogut, Fazli Bytyçi, ishte i shkurtër në deklaratë, por shumë i vendosur se mund ta eliminojnë Dukagjinin.

“Kemi ardhur deri këtu me qetësi, ecim kështu. Kam pasur dëshirë vetëm Prishtina të mos na bie. Vetëm të jetë korrekt referimi. Edhe ne si Dukagjini synojmë Kupën”, ka thënë Bytyçi.

Fituesi i Kupës këtë edicion do të marrë pjesë në garën e re të UEFA-s, përkatësisht në kualifikimet e Ligës së Konferencave, që është niveli i tretë i garave të organizuara nga Konfederata Evropiane e Futbollit. Në këtë nivel garash Kosova do të përfaqësohet edhe me skuadrën që do ta mbyllë kampionatin në vendin e dytë. Ndërsa fituesi i titullit do të garojë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Prishtina është skuadra që e ka fituar më së shumti trofeun e Kupës. Madje është edhe skuadra e vetme që në të gjitha edicionet është paraqitur në garat kualifikuese të Ligës së Evropës. Por pa arritur ndonjë sukses.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është ndarë i kënaqur me shortin, ndërsa pret që të kalojë në finale. Madje edhe para se të tërhiqej shorti, Batatina kishte kërkuar të ketë një duel kundër Prishtinës.

“Prishtina është një klub i madh që ka pasur një ecuri të mirë. Në kampionat ka ecur mirë, por Llapi i ka objektivat e veta dhe do të futemi me seriozitetin më të madh. Kemi këto tri finale për të arritur ta kurorëzojmë suksesin e kërkuar qe disa vjet. Mendoj që në këtë fazë asnjë përballje nuk është e lehtë. Të gjitha kanë pretendimet e tyre, por mendoj se Llapit i ka mbetur vetëm kjo garë dhe ndoshta do ta ketë një përparësi të vogël në raport me Prishtinën, pasi Prishtina është në luftë në të dyja garat”, ka thënë Batatina.

Te Prishtina e kanë cilësuar të pafat shortin.

“Nuk kemi pasur aspak fat në shortin e Kupës, që nga fillimi i saj e ku gjithmonë na kanë rënë ekipet më të forta të secilit raund, duke filluar prej 1/8 me Dritën, në çerekfinale me Feronikelin dhe tash në gjysmëfinale me Llapin. Short pa dyshim i vështirë dhe njëkohësisht finale para finales kryesore. Vlerësim maksimal për Llapin si ekip. E dimë që objektiv i dy skuadrave është kupa, por është mirë që luhet me dy ndeshje dhe të shpresojmë që edhe këtë pengesë të vështirë ta kalojmë për të dalë në finale”, ka thënë për faqen e klubit Prishtina trajneri Zekirija Ramadani.

Llapit i ka mbetur vetëm gara e Kupës për ta shpëtuar sezonin, kurse Prishtina është edhe në garë për titull.