Sport

Basketboll, derbi luhet në Prizren

Dueli ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Rahovecit vlerësohet si derbi i xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në basketboll, ka njoftuar Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).

Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 17:00, kurse Ponte Prizreni synon ta forcojë edhe më shumë pozitën e parë në tabelë.  Ponte prin në Superligë me 41 pikë, dy më shumë se Rahoveci që është në pozitën e tretë.  Ponte Prizreni në këtë ndeshje futet pas një serie prej tri fitoresh rresht, derisa Rahoveci ka dy fitore e një humbje në tri duelet e fundit.

Të dielën prej orës 19:00, në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, skuadra e Trepçës e pret Vëllaznimin. Trepça në xhiron e fundit e mposhti Yllin në Suharekë, derisa Vëllaznimi nuk di për fitore në dy ndeshjet e fundit. Vëllaznimi është i fundit në tabelë me 31 pikë, tri më pak se Trepça që renditet e gjashta.

Kjo xhiro do të hapet të shtunën me ndeshjen që luhet në Suharekë prej orës 17:00 ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës. Si Ylli, ashtu edhe Prishtina, kanë regjistruar humbje në xhiron e shkuar. Ylli është i dyti në tabelë me 39 pikë, derisa Prishtina gjendet në pozitën e parafundit me 33 pikë të grumbulluara.

Prej orës 19:00 të shtunën, në palestrën “Sezai Surroi” të Prizrenit, do të luhet ndeshja ndërmjet Bashkimit dhe Pejës. Bashkimi, që fitoi ndeshjen e shkuar, është në pozitën e pestë në tabelë me 35 pikë, një më pak se Peja që renditet e katërta. Skuadra e Pejës nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit.