Sport

Granit Shala, Andy Ruizi i boksit shqiptar

Bie në sy me shtatin dhe peshën që ka. Në boks shquhet për shpejtësi.

Granit Shala synon majën e boksit profesionist, ndërsa të paktën për nga pesha e ndërtimit trupor ka ngjashmëri me Andy Ruizin, boksierin e famshëm. Vlerësimin si “Andy Ruizi shqiptar” e pranon. Nëse eventualisht arrin sukseset e Ruizit, do të bëhej prej boksierëve shqiptarë më të mirë të të gjitha kohërave.

Andy Ruiz Jr nuk ka ndërtim trupor të zakonshëm për boksierët, me muskuj të ekspozuar. Ka bark më të madh, duar pa muskuj të definuar, por të fuqishme. Ndonëse nuk lë përshtypjen e një boksieri, ai është i shpejtë dhe ka prekur majën e boksit profesionist.

Ruiz 31-vjeçar ka 33 fitore e vetëm dy humbje. 22 prej fitoreve i ka me ndërprerje. U bë shumë i famshëm më 1 qershor të vitit 2019, kur në “Madison Square Garden” të New Yorkut e mposhti me ndërprerje superyllin e boksit Anthony Joshua.

Ruiz ia mori Joshuas tre titujt e mëdhenj të botës në kategorinë e rëndë. Humbja e tij ishte vlerësuar shokuese. Fitorja e Ruizit ishte cilësuar e jashtëzakonshme.

Joshua u revanshua dhe ktheu titujt më 7 dhjetor të vitit 2019. Prej atëherë boksieri nga SHBA-ja me prejardhje meksikane, Ruiz, nuk ka boksuar më. Por ai ka dhënë shpresë për shumë njerëz me më tepër peshë.

Granit Shala aktualisht është larg niveleve që ka prekur Ruiz Jr. Por shpreson të arrijë atje. Shala, 24-vjeçar, ka nëntë fitore në kategorinë e rëndë të boksit profesionist. Tri prej fitoreve i ka me ndërprerje. Karrierën e zhvillon në Gjermani. Së fundi Shala fitoi me ndërprerje më 7 shkurt ndaj Andas Csomor të Hungarisë. Në të vërtetë boksierët që i ka mposhtur deri më tani nuk janë të nivelit më të lartë, por ai thotë se po rritet gradualisht në boksin profesionist. Meçin e parë në profesionalizëm e kishte zhvilluar më 25 nëntor të vitit 2017.

Në pyetjen se a mund ta quajmë “Andy Ruizi i boksit shqiptar”, Shala është përgjigjur: “Po, mund të them që kemi shumë gjëra që janë të ngjashme. E kam fjalën për formën e trupit dhe shpejtësinë”.

Ndonëse ende masiv, Shala tregon se i ka humbur plot 40 kilogramë peshë përmes ushtrimeve.

“Është e vërtetë që nuk jam prej boksierëve muskulorë. Por më duhet të them që kam humbur mbi 40 kilogramë peshë falë punës së trajnerit tim. Përparësia e kësaj ka qenë dhe akoma është që shumica e kundërshtarëve më kanë nënvlerësuar dhe më nënvlerësojnë. Ndërsa nuk shoh ndonjë mangësi nga forma trupore që kam”, thotë Shala.

Ai e vlerëson shpejtësinë që e ka në ring. Por ka “arsenal armësh” që kryejnë punë në boks.

“Mund të them që shpejtësia është një ndër armët më të forta. Por unë kam edhe shumë armë të tjera që janë shumë të rrezikshme. Prej boksierëve të tjerë më dallon qetësia në meç. Nuk jam gjaknxehtë. E ruaj qetësinë në momente vendimtare dhe kjo është përparësi e madhe”, ka shtuar boksieri me prejardhje nga Fushë-Kosova, që jeton në Muenchen.

Ai e viziton shpesh vendlindjen, ndërsa tregon se punon si menaxher në një firmë ku prodhohen kartelat.

Graniti planifikon të arrijë shpejt fitoren e dhjetë në profesionalizëm. Thotë se më 19 qershor do të boksojë në ngjarjen “Ring on Fire”, që e organizon menaxheri i tij, Agron Kurtisi. Atë e ka edhe trajner.

Synimet e Shalës janë shumë të mëdha.

“Synimi në boks është që së pari ta bëj familjen time krenare, gjithashtu edhe popullin tim shqiptar. Që të mburren të gjithë me mua. Natyrisht, dua të boksoj me më të mirët e kategorisë së rëndë. Kam besim se kjo do të realizohet. Unë mendoj dhe besoj se do të arrij të boksoj për tituj të Evropës apo të botës në federatat e mëdha, WBA, WBO, WBC e IBF”, ka theksuar boksieri masiv shqiptar.

Ai llogarit shumë në ndihmën e familjes e po ashtu të menaxherit Kurtisi. Së fundi i janë ofruar edhe disa sponsorë. Shala e di se pa përkrahjen e fuqishme është vështirë të organizohen meçe të mëdha.

Me boks Graniti ka nisur në moshën 8-vjeçare. Pra, ka 16 vjet në mes litarëve të ringut.

“Në amatorizëm i kam zhvilluar 80 meçe dhe kam humbur pesë prej tyre. Kam qenë pesë herë kampion i Gjermanisë dhe dy herë e kam fituar turneun më të mirë për boksierët juniorë”, tregon Shala.

Shala insiston se boksi është sporti i duhur për të.

“Pasi fillova në moshë të re që të merrem me boks dhe pasi kisha suksese në meçet e para, e kuptova se kam talentin për këtë sport. Falë Zotit, me kohë arrita të fitoja besimin më vete dhe tani po shikoj drejt rritjes së mëtejme”, ka theksuar Granit Shala.