Sport

Garë e fortë edhe për nënkryetarë të KOK-ut dhe anëtarë të Bordit

Dhe derisa në garën për të udhëhequr KOK-un po shpenzohet shumë energji nga drejtues sportivë, sportistët më të mirë të vendit, xhudistët, po përgatiten për garat e mëdha të këtij viti. Zërat që ka pretendime për të lënë xhudon jashtë Bordit Ekzekutiv nuk janë pritur mirë nga xhudistët, që janë bindshëm më të suksesshmit në vend dhe kanë mundësuar promovim të shtetit të Kosovës në arenat më të mëdha sportive botërore

Besim Hasani, Ismet Krasniqi e Linda Shala po zhvillojnë garë të fortë për pozitën e kryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës. Por gara në KOK është shumë e fortë edhe për pozitat e nënkryetarëve, si dhe të anëtarëve të Bordit Ekzekutiv.

Si asnjëherë më parë, pozita drejtuese në KOK po synojnë shumë njerëz të sportit. Profili i KOK-ut është rritur shumë pas pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar e sidomos pas medaljes së artë olimpike të Majlinda Kelmendit në “Rio 2016”. Ndikimi i KOK-ut tashmë është i madh dhe pozita drejtuese po synojnë thuajse nga të gjitha federatat sportive.

Është Komisioni i Pavarur Zgjedhor për Asamblenë e Tetë të KOK-ut që të hënën dërgoi raport për federatat sportive. Ky komision ka shqyrtuar aplikacionet e federatave për delegatë dhe kandidatë. Komisioni ka njoftuar federatat me listën e kandidatëve, ndërsa një kopje të këtij dokumenti e ka siguruar edhe KOHA.

Për president kandidojnë Besim Hasani, që bazën deleguese e ka nga Federata e Karlingut, Ismet Krasniqi dhe Linda Shala. Ismet Krasniqi është kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës, por bazën deleguese e ka nga Federata e Atletikës, shkruan në dokument. Ndërkohë Linda Shala është kandidate për presidente nga ana e FBK-së. Hasani ditë më parë siguroi mandat të ri si kryetar i Federatës së Karlingut.

Për katër pozita të nënpresidentit kandidojnë plot 11 kandidatë: Arben Fetahu (nga basketbolli), Eugen Saraçini (hendbolli), Fatmir Makolli (kikboksi), Gazmend Maxhuni (triatloni), Halil Sylejmani (atletika), Jeton Beqiri (pingpongu), Lavdim Zylfiu (golfi), Liridona Beadini (boksi), Memli Krasniqi (xhudoja), Milaim Kelmendi (skijimi), Mimoza Shkodra-Bislimi (volejbolli).

Ndërkohë janë 19 kandidatë për anëtarë të Bordit Ekzekutiv: Abeliana Belegu, Agron Jusufi, Agron Kuka, Agron Mala, Ardall Celina, Avni Nuha, Besire Domaniku, Bujar Turjaka, Driton Latifi, Ismajl Sadiku, Ismet Rexhepi, Latif Demolli, Luljeta Shala, Lulzim Haziri, Musa Selimi, Nuhi Llugagjiu, Shqipe Bajqinca Brestovci, Visar Emini e Vjollca Krasniqi.

Bordi i ka dhjetë anëtarë. Njëri prej tyre duhet të jetë nga Komisioni i sportistëve, ndërsa presidenti e ka të drejtën e zgjedhjes së tre anëtarëve prej dhjetë gjithsej. Ndërkohë, pesë prej 15 pozitave (president, katër nënpresidentë dhe dhjetë anëtarë të Bordit Ekzekutiv) duhet të jenë femra.

Zgjedhje ka edhe për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës dhe anëtarë të Komisionit të Arbitrazhit Sportiv.

Asambleja Zgjedhore do të mbahet më 25 mars në Prishtinë.

Në të vërtetë, kandidatët për president po zhvillojnë fushatë të fuqishme në prag të Asamblesë. Ka shumë postime e paraqitje publike, ndërkohë që shumë prej federatave kanë bërë publike përkrahjen e tyre. Janë formuar koalicione, ndërkohë që zgjedhjet nëpër federata të javëve të fundit pritet të kenë ndikim vendimtar.

Jo të gjitha kuvendet e federatave kanë kaluar në atmosferë të qetë. Në disa janë bërë ndryshime e në disa kanë mbetur drejtuesit e njëjtë. Burime të KOHËS bëjnë të ditur se të gjitha grupet që pretendojnë udhëheqjen e KOK-ut, po përcjellin me vëmendje zhvillimet në Federatën e Notit. Ka gjasë që votat e komunitetit të notit të jenë vendimtare në Asamblenë e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Federata e Notit të shtunën e nisi Kuvendin Zgjedhor, por ai nuk përfundoi. U ndërpre me arsyetimin se nuk kishte kushte për zhvillimin e tij. “Lufta” mes pretenduesve për të udhëhequr notin zhvillohej për bazën deleguese të dy klubeve. Kuvendi është shtyrë për të shtunën e ardhshme, ndërkohë që dy kandidatë pretendojnë postin e kryetarit, Astrit Haliti e Trim Zeqiri. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë tensione të tjera të shtunën. Ndërkohë ka pasur akuza për tentim të ndikimit nga jashtë në zgjedhjet për të parin e notit.

Dhe derisa në garën për të udhëhequr KOK-un po shpenzohet shumë energji nga drejtues sportivë, sportistët më të mirë të vendit, xhudistët, po përgatiten për garat e mëdha të këtij viti. Zërat që ka pretendime për të lënë xhudon jashtë Bordit Ekzekutiv nuk janë pritur mirë nga xhudistët, që janë bindshëm më të suksesshmit në vend dhe kanë mundësuar promovim të shtetit të Kosovës në arenat më të mëdha sportive botërore.