Sport

Përzgjedhësi i Suedisë vlerëson Kosovën

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Suedisë, Janne Andersson ka folur edhe për pritshmëritë e tij në ndeshjet kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” që luhen gjatë këtij muaji pasi publikoi listën. Andersson të martën publikoi listën prej 26 futbollistëve, në mesin e të cilëve ishte edhe sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviq. Suedia më 25 mars e pret në shtëpi Gjeorgjinë kurse tri ditë më vonë, do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës kundër Kosovës në kuadër të Grupit B eliminator. Andresson ka vlerësuar lart Kosovën duke thënë se në radhët e veta ka lojtarë të mirë teknikisht duke shtuar se pak a shumë i njeh “Dardanët” pasi Suedia i kishte mposhtur në janar të vitit 2019 me rezultatin 1:0, në miqësoren e luajtur në Doha të Katarit.

“Edhe Kosova edhe Gjeorgjia kanë shumë lojtarë të mirë dhe të aftë teknikisht. Ne u takuam me Kosovën gjatë turneut të janarit në vitin 2019 dhe e dimë që është një ekip i aftë edhe nëse nuk ishte me ekipin më të mirë të mundshëm në atë kohë. Si zakonisht, duhet të jemi të kujdesshëm në përgatitjet tona dhe të bëjmë paraqitje të mira për të pasur një fillim që e duam në kualifikime”, është shprehur Andersson, i cili ka folur edhe për kthimin e Ibrahimoviqit.

Ibra u kthye te Suedia pas gati pesë vjetësh pasi u tërhoq në vitin 2016, saktësisht pas përfundimit të Kampionatit Evropian. 39-vjeçar është golashënuesi më i mirë në histori të Suedisë, me 62 gola të realizuar në 116 paraqitje.

“E para dhe më e rëndësishmja, ai është një futbollist shumë i mirë, më i miri që kemi pasur në Suedi. Sigurisht që është shumë qesharake që ai dëshiron të kthehet. Përveç asaj që ai mund të kontribuojë në fushë, ai ka përvojë të jashtëzakonshme dhe mund t'ua bartë atë lojtarëve të tjerë në ekip”, është shprehur Andresson që ka zbuluar edhe synimet e Suedisë në këto kualifikime. “Është një rrugë e gjatë për të arritur në Botërorin 2022, por ne duam të shkojmë atje dhe është e rëndësishme për ne që të kemi një start sa më të mirë në kualifikime”.